Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Klajda Gjosha, nëpërmjet një statusi të publikuar në Facebook, ka shprehur vlerësimet në lidhje me punën shumë të mirë të bërë nga kryetarja e Bashkisë Përrenjas. Ajo ka akuzuar qeverinë se nuk bën asgjë për zona të tilla të varfra.
"Falënderimet më të sinqerta për Kryetaren e Bashkisë së Përrenjasit, Miranda Rirën, për punën e saj të përkushtuar ndaj qytetarëve të këtij komuniteti. Sot u inaugurua rikonstruksioni i çerdhes së vetme në këtë qytet, me fondet e Qeverisë Turke, që jo vetëm i krijon kushte fëmijëve për një ambient më të pastër e më të sigurt, por i krijon më shumë mundësi nënave të angazhohen në jetën ekonomike dhe shoqërore. Sot gjithashtu, Bashkia organizoi me mbështetjen e Bashkimit Evropian, një konferencë informuese mbi integrimin evropian dhe rolin e gruas dhe të pushtetit vendor. Një grua, një nënë në krye të institucionit të bashkisë do të thotë një premtim i mbajtur më shumë për qytetarët e Përrenjasit. Qeveria duhet t’i kushtoj më shumë vëmendje këtyre zonave të varfra që me pak investime mund të ndryshojnë jetën e këtyre qytetarëve të thjeshtë e me një zemër të madhe”, shkruan në statusin e saj, Klajda Gjosha. / 55news.al