Ndërsa pandemia e Koronavirusit ka gjunjëzon të gjithë botën, FIFA po mendon për planin e bujshëm që pritet të shpëtojë futbollin. Sipas një burimi pranë konfederatës botërore, ky institucion po studion mundësinë e zbatimit të një “Plani Marshall” për të ndihmuar ekonomikisht klubet që janë detyruar të ndërpresin aktivitetin, për të shmangur kështu sadopak, një krizë të thellë ekonomike, e cila mund të ishte fatale për shumë klube.
“Ne konfirmojmë që FIFA është duke punuar mbi mundësinë e ofrimit të ndihmës për komunitetin e futbollit në të gjithë botën, pasi të ketë bërë një vlerësim global të ndikimit financiar që do të ketë kjo pandemi në futboll”, zbulon një burim pranë organit më të lartë të futbollit në botë.
Sipas buxhetit të fundit, arkat e FIFA-s do të kishin 2.4 miliardë euro të gatshme për përdorim urgjent. Detajet e planit nuk janë zbuluar ende. Pasi ka analizuar situatën, FIFA duket se ka vendosur të dëgjojë ankesat që vijnë nga shumë pjesë të botës së futbollit. Si nga klubet, ashtu edhe nga lojtarët.