Mbrëmjen e sotme do të nisë kampionati europian “Euro 2024”, me ndeshjen hapëse mes Gjermanisë vendase përballë Skocisë, e cila do të startojë në orën 21:00 në stadiumin “Allianz Arena” të Mynihut.
Siç është tradita, natën e parë luhet vetëm një ndeshje, ajo e vendit organizator, teksa më pas mbrëmjen e nesërme do të kemi tre përballje të tjera; ndeshja tjetër e grupit A, ajo mes Hungarisë dhe Zvicrës, si dhe dy ndeshjet e grupit B, ku bën pjesë dhe kombëtarja kuqezi, Spanjë-Kroaci dhe Itali-Shqipëri.
Edicioni që do të mbahet në tokën gjermane do të jetë i 17-ti në histori që është planifikuar të mbahet nga 14 qershori deri më 14 korrik 2024. Italia është kampionia në fuqi për t’u mundur.
16 turnetë e kaluar të kampionatit europian janë fituar nga 10 ekipe kombëtare: Gjermania dhe Spanja kanë fituar secila nga 3 trofe, Italia dhe Franca kanë fituar nga 2 trofe dhe Bashkimi Sovjetik, Çekosllovakia, Holanda, Danimarka, Greqia dhe Portugalia kanë fituar nga një trofe. Deri më sot, Spanja është kombëtarja e vetme që ka fituar dy kampionate europiane të njëpasnjëshme, duke e bërë këtë në vitin 2008 dhe 2012.
Edhe pse është vendi pritës, Gjermania nuk është favoritja kryesore për ta fituar trofeun, pasi nuk ndodhet në ditët e saj më të mira. Toni Kroos pritet të jetë lojtari kryesor i “pancerave”, që do t’i japë lamtumirën e fundit futbollit të luajtur pas kampionatit Euro 2024. Emrat e tjerë me peshë në kombëtaren gjermane janë Gundogan, Neuer, Muller, Rudiger dhe Kimmich, teksa nuk i mungojnë dhe talentet premtues si Musiala, Schlotterbeck dhe Wirtz.
Sa i përket Skocisë, kjo është pjesëmarrja e katërt e tyre në një kampionat europian, pas atyre të viteve 1992, 1996 dhe 2020. Skocezët nuk e kanë kaluar asnjëherë grupin, teksa do mundohen ta bëjnë këtë gjë. Me gjermaninë favorite të grupit, ata shohin si rivalë të tyre për t’i mundur Zvicrën dhe Hungarinë.
Elementët më të rëndësishëm të ekipit skocez mbeten Robertson (mbrojtësi i majtë i Liverpool), McTominay (mesfushori i Manchester United), playmaker Billy Gilmour (Brighton) dhe qendërmbrojtësi i Real Sociedad, Kieran Tierney.
Gjermani (4-2-3-1): Neuer; Kimmich, Rudiger, Schlotterbeck, Raum; Andrich, Kroos, Gundogan; Musiala, Wirtz; Havertz. Tr. Nagelsmann.
Skoci (3-4-2-1): Gunn; Porteous, Hendry, Tierney; Ralston, McGregor, Gilmour, Robertson; McGinn, McTominay; Adams. Tr. Clark.
Sa i përket kombëtares së Shqipërisë, kjo është pjesëmarrja e dytë një kampionat europian, pas atij të vitit 2016 të luajtur në Francë. Kuqezinjtë tanë ndodhen në grupin B, i konsideruar ndryshe si “grupi i ferrit”, bashkë me Spanjën, Italinë dhe Kroacinë. Kalimi i grupit duket një mision i pamundur, nisur nga kundërshtarët që kemi në grup, por “kurrë mos thuaj kurrë”. Të besuarit e Silvinho-s ndodhen pa presion dhe do mundohen t’i marrin maksimunin çdo ndeshje.
Përballjen e parë e luajmë kundër Italisë, të shtunën në orën 21:00 në stadiumin e Dortmundit “Signal Iduna Park”, i cili ka një kapacitet prej 82 mijë vendesh, por që për shkak të rregullave të UEFA-s do të ketë një kapacitet të reduktuar në 62 mijë vende.
Sipas burimeve të ESPN, në stadium priten të jenë rreth 50 mijë tifozë shqiptarë, e cila do të jenë forca kryesore e kombëtares për të marrë rezultate pozitive. Më pas Shqipëria do të luajë kundër Kroacisë dhe ndeshjen e fundit në grup e ka kundër Spanjës.
Veç dy vendeve të para të grupit, Shqipëria ka shansin të kalojë në fazat me eliminim direkt edhe si një prej 4 vendeve të treta më të mira të grupit.