Punonjësja e Fondit: Kam përballuar kancerin në punë, më hoqën 7 muaj para daljes në pension

Premte, 01 June 2018 17:06

“Ju njoftojmë se jeni e ftuar në një takim për të diskutuar lidhur me vazhdimësinë e marrëdhënieve të punës. Takimi do të zhvillohet pranë Komisionit të Ristrukturimit tek zyrat e DSHSUKS-së, në datën 17.05.2018, ora 14:00”.

Ky ka qënë teksti i të gjitha letrave të mbërritura në duart e 34 punonjësve të Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, brenda një pasditeje. Në datën 17, siç ishte njoftuar, punonjësit janë paraqitur pranë Komisionit të Vlerësimit të Dosjeve, ku u është komunikuar largimi nga puna. Arsyetimi? Ristrukturimi i drejtorive të kontrollit spitalor.

Suzana Tahiraj ka punuar në Fond për 14 vite me radhë, si specialiste ekonomiste. Deri para disa ditësh ajo ka qenë pjesë e Sektorit të Financës në Drejtorinë e Shërbimit Spitalor Universitar dhe Kontrollit Spitalor. Tahiraj është prekur gjithashtu nga reforma, dhe i duhet të largohet nga vendi i punës, fiks 7 muaj përpara se të mbushë moshën e pensionit. E kontaktuar nga “Pro Pacientit” , e lënduar nga kjo situatë, ajo tregon se kishte parandjenjën që do të largohej, por megjithatë kishte numëruar shumë arsye brenda vetes që e ngushëllonin për të kundërtën.

“Ishim tre specialiste finance, unë bashkë me dy të tjera, në organikë. Më marrin në telefon nga protokolli dhe më thonë: Do vish të tërheqësh një zarf. Pse, thashë, më erdhi dhe mua?!

“Kisha parandjenjë sepse po i shikoja nga mënyra sesi po vepronin. Atë ditë në mëngjes i thashë kolegut: Nuk po na i sjellin zarfat. Do ketë ndërhyrje shumë të mëdhaja, i thashë, sepse qarkullonin fjalë që do kishte ndryshime në strukturë dhe do ketë dy specialiste finance. Nuk besoja që do hiqesha sepse mendova që arka do jetë. Nuk mund të hiqet arka si vend pune. Pavarësisht se mund t’ja ndërronin emrin nuk mund të hiqej. Edhe nëse bëhej on line”, tregon Tahiraj.

E pyetur nëse ka kërkuar të ketë takim me drejtuesit, ajo tregon se jo vetëm që është munduar të flasë me drejtuesit, por i është drejtuar edhe platformave të vëna në dispozicion nga qeveria.

“Shkrova në portalin “Shqipëria që duam”, mora përgjigjen që e dija: “Struktura e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor është ristrukturuar dhe pakësuar në numër punonjësish sinë Drejtorinë Qendrore ashtu dhe në Drejtorinë Rajonale. Pjesë e këtij ristrukturimi ka qenë edhe Drejtoria e Shërbimit Spitalor Universitar dhe Kontrollit Spitalor, ku numri total i punonjësve është pakësuar me 36 punonjës. Bazuar në strukturën e miratuar, edhe Sektori i Financës pranë DSHUKS ka pësuar ndryshime, suprimim pozicioni pune dhe pakësim të numri të punonjësve, proces ky që ka prekur edhe vendin e punës suaj”, shkruhej midis të tjerash në përgjigjen e kthyer nga zyra e bashkëqeverisjes.

“Të punosh 14 vjet në një drejtori dhe të të largojnë në këtë formë…  Nuk ishte nevoja të hiqesha unë fare. Pse të hiqesha? Se isha e pambrojtur? Se nuk kisha mik? Na mblodhën dhe pyeta : Çfarë keni konstatuar nga dosjet e mia? Je suprimuar sepse je specialiste finance, je arkëtare, thanë! Unë jam arkëtare, por në strukturë kam qënë specialiste finance.

“Jam punonjësja më e vjetër, për 7 muaj dal në pension. Në mars të 2007-s humba bashkëshortin, kam rritur 3 fëmijë e vetme. Në 2008-n u operova për Ca gjiri, kam bërë 4 seanca kimio dhe i përballova të dyja rastet në punë. Nuk kam marrë asnjë ditë raport, për të mbrojtur vendin e punës. Nuk kisha mbështetje tjetër. Përgjatë viteve kam kaluar në sektorë të ndryshëm, por gjithsesi nuk është përmendur ndonjëherë largimi, sepse nuk kam asnjë vërejtje ose një mungesë. Në 2015-n më kalojnë në arkë ku bëja faturat e ekzaminimeve, si punë, por në strukturë vazhdoja specialiste finance.

“Nuk besoja që do hiqesha. Pastaj mendoja që dhe 7 muaj kam dhe dal në pension. Jam kryefamiljare. Njerëzit duhet të jenë pak edhe human për kushtet që kisha unë. Ishin shumë gjëra që më bënin të besoja që do rrija. Por prapë, unë skisha miq, s’kisha njerëz. Dhe ja ku jam. Nuk e prisja pensionin kështu “, përmbyll Tahiraj për “Pro Pacientin”. D.Canameti

Login to post comments