Paga mesatare mujore bruto për të punësuarit në Shqipëri u rrit me 3% në vitin 2017, për të arritur vlerën e 48.967 lekëve në muaj.
Krahasuar me rritjen mesatare të çmimeve të konsumit, e cila vitin e kaluar ishte 2%, duket sikur ka një rritje të lehtë të pagave krahasuar me çmimet. Por nëse marrim parasysh se pjesa më e madhe e shpenzimit të familjeve shkon për ushqime, qira dhe fatura, ku rritja e çmimeve ishte 2.8% dhe 2.2%, del se shtesa në pagë thjesht ka kompensuar këtë rritje.
Por për të përfituar këtë rritje page me 3%, ndërmarrjet shqiptare kanë shtuar nga 0.1% deri me 7.5% orët mesatare javore të punës në kurriz të të punësuarve. Kjo rritje vlen për të gjithë sektorët e sipërmarrjes në vend .
Më e ndjeshme rritja e orëve të punës është ndjerë në sektorët e bujqësisë dhe industrisë, ku për punonjësit me pagë fikse janë shtuar përkatësisht 3 orë dhe 1 orë e 12 minuta punë në javë.
Nëse në bujqësi dhe peshkim, shtimi i orëve me 7.5% është shoqëruar me një shtesë page prej 6.4%, në industrinë nxjerrëse dhe përpunuese rritja është fare minimale me 56 lekë bruto më shumë në muaj.
Në mënyrë të ngjashme, në sektorin e ndërtimit, ku një pjesë e punonjësve paguhen sipas orëve të punës, paga mesatare bruto mujore është rritur me 2.9% për një shtim prej 2 orësh e 24 minutash punë në javë.
Më të fituarit në këtë drejtim kanë qenë vetëm punonjësit e administratës publike, shërbimeve sociale dhe aktivitetet të shërbimeve të tjera, ku për 48 minuta më shumë në muaj kanë fituar 3,782 lekë bruto më shumë, në rritje me 6.7%, çka mund të konsiderohet edhe një rritje reale e pagave.