Ministria e Shëndetësisë ka vendosur kufizime të forta për dhënien falas të medikamentit “Rivaroxaban” duke vendosur një sistem pikëzimi që përcakton se përfituesi duhet të ketë pësuar më parë një goditje në tru.
Në urdhëresën e fundit që shoqëron listën e barnave ministria sanksionon se për lëshimin e “Rivaroxabanit” pacienti duhet të marrë mbi tre pikë, që nënkuptojnë se duhet të ketë kaluar një herë në jetë një goditje në tru që vlerësohet me 2 pikë, të vuajë nga diabeti 1 pikë, të jetë mbi 75 vjeç 1 pikë, ose të vuajë nga insuficenca kardiake 1 pikë.
Por Ibrahimi 74 vjeçar edhe pse me kartelë, i sëmurë kronik me zemër, nuk i plotëson kushtet e vëna nga ministria e Shëndetësisë pasi ai nuk ka kaluar ende një trombozë në kokë dhe për rrjedhojë i ka mbetur automatikisht jashtë liste.
Në vend të tij mjekët do të duhet ti përshkruajnë një medikament alternativ për të cilin thotë se nuk ka besim se do ti bëjë efekt ndërsa pranon se medikamenti me të cilin është kuruar i jepte mundësi edhe të drejtojë motorin.
“Unë kam ardhur këtu se vuaj nga problemet e zemrës, sidomos me trashjen e gjakut. Përdorja një hollues i cili kushtonte 93 mijë lekë “Xareldo”. Kam 5 apo 6 muaj që e marr. Por tani ka dalë lista e re e ilaçeve e rimbursuar, e cila thotë që duhet të plotësosh disa kushte që unë nuk i plotësoj. Unë nuk jam 75-vjeç, unë nuk kam pësuar goditje në tru që mos pësofsha kurrë dhe nuk kam ndërhyrje në zemër. Tani meqë nuk i plotësoj këto, kam ardhur këtu që ta zëvendësojë ky me ndonjë hollues tjetër, nga ato që janë ordinera. Ai ishte tamam për moshën time se sa do rroj unë. 74 vjeç jam, pse sa do rroj 150 vjeç që ta rëndoj arkën e shtetit. Unë edhe ja 1 vit apo 2 vjet dhe ika. Duan të pësoj goditje në tru që të më japin ilaçin. I lutem shumë ministrisë t’i rishikojë edhe njëherë kriteret ku i ka bazuar dhënien e këtij ilaçi, më tepër duket sikur nuk do të na i japë se sa do të na i japë. Neve një hap na ndan nga varri, nuk e rëndojmë ne arkën e shtetit”,- thotë ai.
Si Ibrahimi ka me mijëra të sëmurë që trajtohen prej vitesh me medikamente të patentave të njohura farmaceutike dhe që pas datës 5 maj do të duhet të mësohen me barnat xhenerike që dominojnë listën e barnave falas dhe që në shumicën e rasteve prodhohen në vende të Ballkanit.
Jashtë kamerës mjekë të shërbimit parësor thanë se janë të detyruar të zbatojnë listën e miratuar nga qeveria çka sipas tyre po i përplas çdo ditë me qytetarët e indinjuar që kërkojnë rikthimin e barit me të cilin janë kuruar prej vitesh.
E pyetur për kufizimet që i janë bërë listës së barnave kreu i ministrisë së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se do të flasë në një moment të dytë kur të ketë në krah edhe ekspertët e fushës që e kanë këshilluar në hartimin e listës së re të barnave /Balkanweb