Ricikluesit i kanë dërguar Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit argumenta kundërshtuese, sa i përket Strategjisë Kombëtare të Menaxhimit të Intregruar të Mbetjeve, ku kërkojnë që menaxhimi i mbetjeve të kalojë në katër nivele trajtimi: Grumbullimin dhe transportin e mbetjeve, Trajtimin paraprak, Rikuperimin dhe Trajtimin përfundimtar.
Lajmin e ka bërë të ditur Iljaz Mehmeti, i cili thotë, se hartuesit e strategjisë kanë deklaruar se rekuperimi i energjisë nga mbetjet do të bëhet i mundur përmes incinerimit dhe teknologjive të tjera, por ai rikujton, se duhet të sigurohet kalimi gradual drejt ndarjes në burim të materialeve të riciklueshme dhe futjes së teknologjive të trajtimit paraprak dhe depozitimit në përputhje të plotë me standardet e BE-së.
Nga ana tjetër, nga njëra anë jo të gjitha mbetjet e ngurta urbane digjen dhe nga ana tjetër, rritja e treguesve të ripërdorimit dhe riciklimit shkon në kah të kundërt me atë të incenerimit, duke dalë në pah fakti, se ndërtimi i dy inceneritorëve të tjerë do rezultojë i panevojshëm.
“Shqipëria nuk arrin të mbulojë tërësisht vetëm kapacitetet e incineritorit të Elbasanit. Për rrjedhojë, dhe sipas të dhënave në bazë të strategjisë, edhe sikur industria e riciklimit të falimentojë dhe vendi të arrijë objektivat minimale të Strategjisë për vitin 2030, shfrytëzimi i kapaciteteve të inceneritorëve nuk mund të kalojë shifrën 20%.
Nëse sistemi në kohë do funksionojë siç duhet, me arritjen e objektivave të BE-së për sektorin, njëri nga inceneritorët do të jetë mëse i mjaftueshëm që të punojë me kapciet të plotë për të djegur të gjitha mbetjet e djegshme që rezultojnë të paefektshme nga procesi i riciklimit”, thotë Mehmeti.
Sipas tij, kostoja që humb shteti nga djegia e një ton mbetjeve në incenerator është 105 euro për ton.
Ndërkohë, përfitimi i të ardhurave nga riciklimi i mbetjeve është 700-1500 euro për ton.
Ai thekson, se aktualisht, industria e riciklimit të mbetjeve është në krizë të thellë.
“Industria e riciklimit është në krizë të thellë. Ne po mbijetojmë. Nëse falimentojmë, kjo situatë do të sjellë mbylljen e vendeve të punës dhe prani mbetjesh në ambient” thotë Mehmeti.
Ricikluesit, i kanë ridërguar harttuesve të strategjisë edhe kërkesën e kahershme të tyre, atë të formalizimit dhe legalizimit të sektorit informal duke përfshirë ndërmarrjet apo sipërmarrësit joformalë, që sjell kategorizimin e anëtarëve, që funksionon si edhe klasifikim i ndërmarrejeve.
“Formalizimi është hapi i parë drejt integrimit të sektorit joformal, qe do te thote “krijimi i lidhjeve ligjore me zinxhirin e shërbimit, për të rritur normat e riciklimit në Shqipëri”.
Kjo mënyrë krijon mbledhës individualë dhe furnizues për pikat e mesme te grumbullimit, duke u mundësuar të parëve që të punojnë si agjentë ekonomikë zonal dhe të kenë një kontratë me palët e interesuara formale për të mbledhur materiale te riciklueshme të caktuara, në një mënyrë dhe me një cilësi dhe një çmim të dakortësuar.
Legalizimi i sektorit joformal do të pasojë formalizimin” thotë Mehmeti.