×

Warning

JUser: :_load: Unable to load user with ID: 44

Lal Eri zhvat qytetarët e Tiranës, ja sa paguan për parkimin e makinave në 2017

Diel, 03 June 2018 18:41

Të parkosh në Tiranë është një mision shumë i vështirë. Vështirësia e parë qëndron në gjetjen e një parkimi sidomos në rrugët kryesore. Problemi i dytë qëndron tek pagesa, që mesatarisht është 100 lekë për një orë, që për një person që punon 8 orë, i duhen 800 lekë në ditë, apo rreth 17.6 mijë lekë në muaj, nëse do të paguante për 22 ditë pune. Të ardhurat e Bashkisë Tiranë nga tarifa e parkimit arritën në një nivel rekord në vitin 2017, prej 338.3 milionë lekësh, apo rreth 2.7 milionë euro, që janë paguar nga përdoruesit e automjeteve në kryeqytet. Megjithatë, në raport me atë që Bashkia kishte planifikuar të mblidhte të fillim, kjo shumë është rreth 25% më e ulët (Bashkia priste të mblidhte 450 milionë lekë nga tarifa e parkimit në planifikimin fillestar të buxhetit). Në krahasim me vitin e mëparshëm, tarifa e paguar për parkim është pothuajse dyfishuar, ndërsa në raport me vitin 2014 është pesë herë më e lartë (shiko grafikun). Bashkia Tiranë thotë se në vitin 2017, arkëtimi i kësaj tarife ka një rritje të ndjeshme, “si rrjedhojë jo vetëm e riorganizimit të strukturave, por edhe mënyrës së arkëtimit dhe evidentimit në kohë të përdoruesve të parkimit në rrugët me pagesë, por edhe në sheshet e miratuara për parkim”.

Shifrat bëhen të ditura në relacionin për projektbuxhetin faktik të vitit 2017.

Në total, Bashkia e Tiranës kishte të ardhura të veta (të taksueshme dhe jo tatimore) prej 10.5 miliardë lekësh në vitin 2017, ose 89% e asaj që planifikonte në fillim të vitit. Të ardhurat e taksueshme ishin 6.9 miliardë lekë dhe ato jo tatimore 3.6 miliardë lekë.

Zëri që solli më shumë të ardhura është taksa e infrastrukturës.

Bashkia e Tiranës ka arkëtuar 3.33 miliardë lekë, me një rritje prej 170% në raport me vitin e mëparshëm. Sipas INSTAT, në Tiranë u dhanë për gjithë vitin 2017 gjithsej 231 leje (për një sipërfaqe totale 522 mijë metra katrorë) me rritje të numrit të lejeve prej 118%, në krahasim me vitin e kaluar, ose 125 leje më shumë, ndërkohë që sipërfaqja është 2.5 herë më e madhe. Kjo është reflektuar dhe në arkën e Bashkisë, teksa taksa e ndikimit në infrastrukturë ka sjellë 33% të të ardhurave të veta. Ndërtesat e reja paguajnë 8% të vlerës së shitjes si taksë për ndikimin në infrastrukturë, çka nënkupton se vlera totale e ndërtimeve për të cilat është mbledhur kjo taksë, arrin në rreth 42 miliardë lekë, ose rreth 330 milionë euro.

Nga taksa e pasurisë së paluajtshme janë arkëtuar rreth 1.7 miliardë lekë, me një rritje prej gati 14%. Po rreth 1.7 miliardë lekë janë dhe të ardhurat nga tarifa e pastrimit dhe gjelbërimit. Monitor

Nga taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore u arkëtuan në total 681 milionë lekë (rreth 5.3 milionë euro), nga të cilat 415 milionë lekë u paguan nga bizneset dhe 266 milionë lekë nga rreth 110 mijë familje.

Nga taksa e tabelës u arkëtuan 345 milionë lekë, nga taksa e fjetjes në hotel 83 milionë lekë.

Parkim1.png

 

Modifikuar më Diel, 03 June 2018 18:54
Login to post comments