Paraja gjithsej në qarkullim ka shënuar rënie historike në katër muajt e parë të vitit, duke shpjeguar indirekt forcimin e ndjeshëm të monedhës vendase. Eksperti Xhepa thotë se Banka e Shqipërisë duhet të ndërhyjë për të rritur ofertën e parasë, përndryshe zhvillimet në kursin e këmbimit mund të futen në një rrugë të rrezikshme dhe me pasoja të rënda për segmente të rëndësishme të popullsisë.
Sasia e parasë gjithsej që qarkullon në ekonomi ka shënuar rënie historike në katër muajt e parë të këtij viti. Sipas statistikave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, në muajin prill, paraja gjithsej (agregati M3) arriti në 1.23 trilionë lekë. Në krahasim me fundin e vitit 2017, ky tregues ka rënë me 36 miliardë lekë (apo rreth 270 milionë euro), që është dhe tkurrja më e fortë historike, të paktën që nga viti 2002, kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat (shih grafikun në fund).
Paraja gjithsej ka pasur tendencë rritëse deri në vitin 2013 (me përjashtim të periudhës 2008-2009, kur u konstatua tërheqje e depozitave si rrjedhojë e panikut të krijuar nga kriza globale) dhe më pas ka filluar rënia e saj, për të arritur kulmin në katër muajt e parë të 2018-s. Kjo tendencë, ka ardhur pavarësisht se Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politikë lehtësuese monetare që nga mesi i vitit 2011, përmes uljes së normës bazë të interesit, që aktualisht është në nivelet minimale historike prej 1.25%, nga 5.25% në shtator 2011. Teorikisht, ulja e interesave duhet të kishte gjeneruar më shumë investime dhe vënë më shumë para në duart e konsumatorëve, duke nxitur në këtë mënyrë shpenzimet dhe rritjen e parasë në qarkullim.
Por, në mënyrë paradoksale, paraja gjithsej në ekonomi po vjen në ulje. Teoritë ekonomike pohojnë se ngadalësimi në ofertën e parasë reflekton natyrën e ndrydhur të ekonomisë dhe rënien në investime. Rritja e dobët e ofertës së parasë në ekonomi, sipas ekspertëve, është shqetësuese, pasi tregon për një ngadalësim të aktivitetit ekonomik në vend, që nuk po arrin të nxitet nga politika tejet lehtësuese monetare e Bankës së Shqipërisë, që duket se e vetme nuk po mjafton për t’u dhënë një dorë bizneseve e konsumatorëve.
Dr. Selami Xhepa, eksperti i ekonomisë dhe dekan në Fakultetin Ekonomik, UET, thotë se zhvillimet monetare i duken befasuese dhe krejt të pazakonta. Ai thotë se rënia e masës monetare ka vetëm një shpjegim: rënien ekonomike.
A shpjegon rënia e parasë në qarkullim forcimin e pazakontë të euros…