Janë testuar rreth 37 mijë maturantë, duke përfshirë edhe mbetësit, ditën e sotme në provimin e anglishtes. Siç është urdhëruar nga ministria e Arsimit, nxënësit u testuan në klasa, korridore dhe palestra.
Ambientet kanë qenë të survejuara me kamera, por edhe administratorët nuk janë shkëputur asnjë moment nga procesi i provimit. Provimi filloi në orën 10.00 dhe përfundoi më herët se orari i parashikuar në udhëzim.
Të pyetur nga Top Channel, maturantët e shkollës “Andon Zako Çajupi”,të cilët u testuan në shkollën 9-vjeçare, “Niket Dardani”, kanë arritur të kopjonin. Në çdo shkollë të mesme, për mbarëvajtjen e procesit u angazhuan disa punonjës të policisë, ndërkohë që janë marrë edhe masa të tjera.
“Janë marrë në ruajtje agjencia kombëtare e provimeve dhe qendrat ku do të korrigjohen provimet me policë 24 orë”, tha drejtori i Rendit, Albert Dervishaj. Sipas rregullores së maturës shtetërore, rezultatet e provimeve bëhen publike 10 ditë nga data e provimit, por maturantët nuk kanë të drejtë ankimimi.
Provimi i radhës është ai i gjuhës shqipe dhe letërsisë më datë 8 qershor, për të vijuar me matematikën më datë 13 dhe të fundit, testet me zgjedhje më datë 20 qershor.