24924 ndërmarrje të reja janë regjistruar në Shqipëri përgjatë të gjithë vitit të kaluar, të cilat e kanë çuar në 162 mijë numrin total të ndërmarrjeve në vendin tonë. Po ku kanë investuar më së shumti shqiptarët? Tendenca është e njëjtë me atë të viteve të kaluara dhe duket se nuk ka asnjë ndryshim thelbësor.
Në vend të parë, me 25% të totalit janë pikërisht ndërmarrjet që operojnë në fushën e tregtisë, ose 6237 në total. Pra, një në 4 shqiptarë që ka vendosur të hapë një aktivitet gjatë vitit të kaluar, ka zgjedhur të bëjë tregti. Këto ndërmarrje në pjesën dërrmuese i referohen dyqaneve tradicionale, ose ushqimore ose të veshmbathjeve apo aksesorëve të tjerë. Në vend të dytë ndërkohë, me 23.1% të totalit ndjek bujqësia, ose 5768 ndërmarrje. Vendin e tretë e zë kategoria e akomodimit dhe shërbimit ushqimor dhe pijeve, me 4268 ndërmarrje.
Duke pasur parasysh faktin se akomodimi zë një pjesë të vogël, me vetëm 1421 ndërmarrje në të gjithë territorin e republikës. Kjo kategori, në pjesën dërrmuese i referohet bareve dhe restoranteve. Në këtë kategori ka shkuar 17.1% e ndërmarrjeve të reja të regjistruara gjatë vitit të kaluar në ekonominë shqiptare. Me 4.5% ndërkohë ndjek industria.
Të dhënat konfirmojnë kështu se shqiptarët vijojnë të investojnë në ndërmarrje të vogla, me kosto të ulta investimi, dhe që në pjesën dërrmuese të rasteve shihen si një alternativë ndaj punësimit. Këtë e vërteton fakti se, 65% e ndërmarrjeve të reja gjatë vitit të kaluar kanë qenë dyqane, bare apo ndërmarrje bujqësore.