Kreditë që nuk kthehen në afat në banka kanë shënuar sërish një rritje të lehtë në prill, pas tendencës rënëse që ishte shfaqur muajin e mëparshëm.
Sipas statistikave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, niveli i kredive me probleme ndaj totalit të huasë në fund të muajit prill arriti në 13.46 lekë, me një zgjerim fare të lehtë prej 0.03 pikë përqindje në krahasim me muajine mëparshëm.
Në raport me dhjetorin, kreditë që janë në vonesë prej më shumë se tre muajsh janë rritur me 0.2 pikë përqindje.
Negativisht ka ndikuar dhe mosrritja e stokut të kredisë. Sipas të dhënave të mëparshme të institucionit monetar qendror, huaja për ekonominë në prill shënoi një rënie prej 0.4% në krahasim me muajin e mëparshëm.
Treguesi i kredive me probleme në prill mbetet ende më i lartë se i fundit të 2017-s, kur arriti në 13.2% të totalit të huave, me rënie të dukshme me 5 pikë përqindje në krahasim me dhjetorin 2016, kur ishin 18%. Ky ishte niveli më i ulët i huave problematike që nga dhjetori 2010. Më pas, teksa kriza ekonomike trokiti dhe në Shqipëri pasi nisi në botë, bizneset filluan të ndienin pasojat dhe të mos i shlyenin kreditë. Në 2013-n u shënua dhe niveli rekord, ku gati një e katërta e huave ishin në vonesë më shumë se tre muaj.
Në fund të muajit prill, në vlerë absolute, huatë me probleme ishin 73.5 miliardë lekë (rreth 550 milionë euro), me një rënie prej 0.2% nga muaji i mëparshëm.
Krahas fshirjes, rënia e stokut të kredive me probleme ka ardhur si pasojë e ristrukturimit të këtyre kredive, shlyerjes së kredive në klasa të ndryshme të portofolit me probleme dhe fshirjes së kredive të humbura nga bilancet e bankave. Gjatë gjysmës së dytë të vitit, nga bilancet e bankave janë fshirë rreth 4.5 miliardë lekë kredi të humbura, kryesisht të marra nga bizneset.