Çfarë po hamë? Kjo pyetje shqetëson çdo shqiptar sa herë dëgjon se frutat dhe perimet rriten me kimikate të rrezikshme.
Në fakt, shqetësimi e ka një bazë. Në Shqipëri vijon të përdoren pesticide të rrezikshme dhe të ndaluara, të cilat për më tepër futen kontrabandë.
“Methomyl” nuk duhet të përdoret sepse është i rrezikshëm. Por ky helm ka kaluar kontrollet e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe doganave dhe sot gjendet në farmacitë bujqësore të Dajçit në Shkodër, në Lushnje dhe në Berat.
Shkodra dhe Berati mund të jenë larg nga zyrat e AKU, por këto kimikate të rrezikshme i gjen edhe në Tiranë, por lehtësisht mund t’i gjesh edhe në Kamzë, raporton TCH.
Këtë pesticid fermerët e përdorin për të vrarë insektet, por kimikati nuk shkatërrohet dhe kalon më pas te njerëzit. Shumë fermerë nuk e kuptojnë dëmin që na bëjnë. Në fshatin Gosë, Myzafer Xhelilaj, fermer dhe agronom, shpjegon rrezikshmërinë e pesticidit.
“Ky është një preparat që përdoret në luftën kundër dëmtuesve. Në kohën e komunizmit, ne e kemi përdorur në shkallë të gjerë, i cili na jepte rezultate të larta në spërkatjen e bimëve. Pas vitit 1992 këto u ndaluan, por ne nuk e kuptuam se pse ndodhi”, shprehet Myzafer Xhelilaj, fermer.
Pyetja se çfarë po hamë, nuk merr gjithmonë përgjigje optimiste. Këto ishin prova se autoritetet të cilat duhet të kujdesen për ushqimin tonë, nuk e bëjnë detyrën.