Mushkonjat janë insekte bezdisëse që përbëjnë një rrezik serioz për shëndetin e miliona njerëzve.
Mënyra më e mirë për t’u mbrojtur prej tyre është të përdorni locione, substanca natyrale mbrojtëse ose të rrisni bimë që mbajnë larg mushkonjat.
Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni më shumë për bimët që janë efikase në mbajtjen larg të mushkonjave.
Rozmarina
Rozmarina është një nga bimët më të mira kundër insekteve dhe buburrecave.
Mbani një vazo me rozmarinë në parvazin e dritares ose në ballkon.
Shtëpia do të mbajë aromë të mirë dhe insektet nuk do të futen dot brenda.
Borziloku
Përveç përfitimeve në kuzhinë, borziloku mund ta mbajë shtëpinë tuaj të pastër nga insektet.
Studimet kanë treguar se vaji esencial i borzilokut mund të zbrapsë mushkonjat për 6 deri në 8 orë.
Nëse ju pickojnë mushkonjat, merrni disa gjethe borziloku dhe fërkoni me to zonën e skuqur.
Kamomili
Kjo bimë e të njëjtit grup botanik të luledeles mban larg jo vetëm mushkonjat por edhe buburrecët, akrepat dhe insekte të tjerë.
Sipas të dhënave të AgroWeb.org, substancat përbërëse të kësaj luleje janë të padurueshme nga insektet.
Lavanda
Lavanda ka një aromë të mrekullueshme dhe aftësi qetësuese, por për mushkonjat ajo është një tmerr i vërtetë.
Vaji esencial i lavandës në kombinim me vajra të tjerë natyralë është efikas në mbajtjen larg të mushkonjave.
Bari i Milcës
Kjo bimë e njohur me emrin Lemon balm, që rritet deri në dy metra ka një aromë të fortë limoni.
Bima përmban vajin esencial të citronelës dhe është shumë efikase kundër mushkonjave.
Nenexhiku
Insektet si mushkonja i urrejnë aromat e forta. E tillë është edhe aroma e nenexhikut, vaji esencial i së cilit shkatërron mushkonjat sipas informacioneve të AgroWeb.org.
Nëse ju pickojnë mushkonjat përdorni gjethet e nenexhikut për t’ju dhënë çlirim të menjëhershëm.
Hudhra
Hudhrën mund ta përdorni për të lyer lëkurën dhe për të mbajtur larg mushkonjat.
Megjithatë, një gjë e tillë nuk është e pëlqyeshme për shumë njerëz falë aromës së fortë të hudhrës.
Lule Kumaku
Këto lule kanë ngjyra të verdha dhe portokalli por edhe një aromë të fortë.
Ato prodhojnë një substancë natyrale që mban larg insektet.
Vaji esencial i këtyre luleve është gjithashtu një alternativë për t’u përdorur gjatë verës kundër mushkonjave./AgroWeb.org