Banka e Shqipërisë do të blejë sot valutë në tregun e këmbimit valutor, në përpjekje për të frenuar zhvlerësimin e mëtejshmëm të saj. Vendimi u morr dje në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës dhe u bë publik nga guvernatori Gent Sejko rreth orës 16.00, atëherë kur kursi ishte mbyllur. Ndërhyrja e Bankës pritet të bëhet sot dhe pritshmëritë janë që kursi të reagojë me rritje të vlerës së euros.
Por ekspertët mendojnë se nuk do të ketë një forcim të menjëhershme të monedhës europiane, por vetëm një stabilizim të saj. Kjo për një arsye.
“Fillimisht do të stabilizohet dhe do të ndalohet tendenca rënëse e euros. Kjo do të ndikojë edhe te faktori psikologjik, pasi edhe ky ndikoi në Shqipëri, duke iu shtuar faktorëve të tjerë. Rritja e euros do të ndjekë një trend të ngadalësuar, edhe për faktin se sidomos një nga faktorët kryesorë që është disponibiliteti i madh i euros, në kuadër të sezonit turistik do të vazhdojë deri në fund të shtatorit.
Ka prezencë të madhe të tyre dhe sado që Banka e Shqipërisë të blejë euro, mund ta stabilizojë kursin e këmbimit, mund të kemi një rritje të lehtë, por nuk do të arrijmë në parametra normalë të para 10 muajve apo para 1 viti”, shprehet Adrian Civici, presidenti i UET.
Euro e mbylli dje ditën në kuotën e 124.4 lekëve, duke regjistruar kështu një ndër nivelet më të ulëta që prej periudhës, kur kjo monedhë është hedhur për herë të parë në qarkullim, në vitin 2002. Për herë të parë në Shqipëri, rreth 16 vite më parë, euro u fut në Shqipëri me një vlerë rreth 120 lekë dhe u rrit menjëherë mbi kuotat që po shënon së fundmi në kursin e këmbimit.