Diferenca në paga vijon të mbetet problem në vendin tonë. Për të njëjtën punë të kryer, burrat paguhen më shumë se gratë në pjesën më të madhe të profesioneve. Kështu gjatë vitit 2017 hendeku në paga mes burrave dhe grave është rritur duke shkuar në 10.5% nga 6.3 % që ishte një vit më parë. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në 2017-ën sektori ekonomik në të cilin hendeku gjinor në paga është më i lartë, është sektori i prodhimit, ku diferenca arrin në 22,7 %.
Ndërsa sektori ekonomik ku hendeku gjinor në paga arrin vlerën më të ulët, prej 3,3 %, është sektori i tregtisë, transportit, hotelerisë, shërbime të biznesit dhe administrative. Referuar grup–profesioneve kryesore, hendeku gjinor në paga arrin vlerën më të lartë për zejtarët, dhe punonjësit e montimit të pajisjeve dhe makinerive, me 28,4 %. Ndërsa vlerën më të ulët të hendekut gjinor në paga e arrin punonjësit e forcave të armatosura, për të cilët diferencat gjinore në pagë janë praktikisht zero.
Në vitin 2017, sipas të dhënave të anketës së forcave të punës, shkalla e papunësisë për burrat në moshën 15-64 vjeç është 15,1 %, kundrejt 12,8 % të grave. Shkalla e papunësisë për të dy gjinitë ka pësuar një rënie krahasuar me një vit më parë. Pozitive për gratë është fakti se gjatë 2017 situata e papunësisë është përmirësuar më shumë krahasuar me burrat, duke pësuar një rënie prej 1,8 pikë përqindje krahasuar me 2016, ndërsa për burrat rënia është 1,3 pikë përqindje.