Aktori i dashur për gjithë shqiptarët, Bujar Asqeriu ka dhënë sot një mesazh të fortë për të gjithë politikanët shqiptarë ndërsa u bëri atyre thirrje që të kontribuojnë për Teatrin e ri. Në takimin që u mbajt para godinës së Teatrit Kombëtar, ku artistët prezantuan projektin e ri, Asqeriu solli në vëmendje shembujt e rilindësve tanë, të cilët sakrifikuan veten dhe pasurinë e tyre për ngritjen e vendit. Mes të tjerash aktori shqiptar u bëri thirrje politikanëve që të dorëzojnë paratë që kanë vjedhur.
“Politikanët i kanë fshehur, se di ku i kanë futur lekët. Ti dorëzojnë në thesarin e shtetit. E para të lajnë mëkatet dhe ta tregojnë njëherë veten burra, si Rilindasit, si burrat e Rilindjes sonë që shkrin pasurinë e tyre për të bërë Shqipërinë, ndërsa këta shkrinë pasurinë e shtetit për veten. Do shihni jo një teatër por 10 teatro. E dyta; jam i sigurt se diaspora jonë, shqiptarët që punojnë në gjithë botën po ti bësh thirrje të japin nga 5 euro, reagojnë. Jam i bindur që s’ka shqiptar dhe biznes që mos të paguaj 5 euro. Kështu shteti shqiptar vë në dijeni dhe se si punojnë shqiptarët. Arka për të ndërtuar një teatër, jo në këtë vlerë, por edhe më shumë do të bëhet. Ju falënderoj për përkrahjen, teatri është i Tiranës, i shqiptarëve, i qytetarëve. Ndaj ta duam se sot dhe më shumë se kurrë kemi nevojë për ndjesi dhe shpirt”, tha Asqeriu.