Mund të konsiderohet si rruga që nuk po përfundon kurrë.
Shtyrje afatesh, shembje, bllokime, fonde shtesë e sërish e njëjta situatë.
Bëhet fjalë për rrugën Elbasan-Tiranë. Shembja në dhjetor të vitit të kaluar në afërsi të tunelit të Kërrabës e rritur akoma më shumë koston. U desh disa muaj që të kryhej studimi dhe të nxirren të dhënat për fizibilitetin.
Por një javë më parë ministri i Transporteve dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri u shpreh se nevojiten 4 milion USD që të largohet masivi shkëmbor e të rihapet rruga.
Rrëshqitjet në Ibë dhe rrëshqitjet pranë tunelit të kërrabës e kanë rritur shumë koston e rrugës Elbasan-Tiranë.
Ndërtimi i rrugës Tiranë-Elbasan filloi në prill të vitit 2011 nga ish qeveria e Sali Berishës. Fillimisht rruga u tenderua me një çmim 290 milionë dollarë dhe ishte parashikuar që të përfundonte në vitin 2014.
Por gjatë ndërtimit, projekti rezultoi me probleme dhe kostoja është rritur vazhdimisht.
Sipas të dhënave zyrtare deri më tani kostoja totale e Tiranë – Elbasan ka arritur në rreth 370 milionë dollarë, por edhe kjo shumë nuk është përfundimtare. Me fondet e tjera shtesë që kërkohen kostoja e rrugës shkon rreth 400 milionë dollarë ose 40 për qind mbi vlerën e tenderuar.