100 euro për të kaluar ilegalisht drejt zonës Shengen, pranga dy punonjësve të Policisë Kufitare

E Enjte, 12 Prill 2018 09:32


Dy punonjës të Policisë Kufitare janë vënë në pranga ditën e djeshme nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Bëhet fjalë për Luan Xhekën me detyrë ndihmës kontrollor PKKK Muriqan si dhe Bardhok Preçi, Përgjegjës Turni, në Stacionin e Policisë Kufitare në Shëngjin.

Arrestimi është bërë, pasi kundrejt pagesave që shkonin deri në 100 euro, ata lejonin kalimin në pikën kufitare të shtetasve shqiptarë që u ishte ndaluar udhëtimi në zonën Shengen, si dhe regjistronin e vulosnin fiktivisht pasaportat e shtetasve të ndryshëm për të evituar shkeljen e afatit të qëndrimit në zonën Shengen.

Pas hetimeve të bëra nga policia dhe Prokuroria, Gjykata ka vendosur masën “arrest me burg” për ta.

Ministria e Brendshme, në njoftimin e bërë për dy arrestimet në fjalë, u ka bërë thirrje qytetarëve dhe medias të denoncojnë çdo rast paligjshmërie të konstatuar apo korrupsioni, ku janë të implikuar punonjës të Policisë. 

Modifikuar më E Enjte, 12 Prill 2018 10:22
Login to post comments