Goditet banda shqiptare në Greqi, kërcënonin me jetë viktimat, i rrihnin dhe i lidhnin

E Enjte, 12 Prill 2018 17:38

Një 25-vjeçar është arrestuar dhe 3 të tjerë janë shpallur në kërkim në zonën e Janinës, në Greqi.

Banda e grabitësve shqiptarë, që vepronte në Janinë, është shkatërruar nga policia greke, e cila ka dalë në një konferencë për shtyp pikërisht për këtë çështje.

Policia tha se karakteristikë e pjesëtarëve të bandës, ishte se ata i kryenin grabitjet me fytyra të maskuara, ndërsa ishin tepër të dhunshëm. I kërcënonin me jetë viktimat, i rrihnin dhe i lidhnin, por edhe i plagosnin.

Madje gjatë një grabitjeje vitin e kaluar, e rrahën kaq keq viktimën, një plak 90 vjeçar, saqë ky ndërroi jetë pas katër muajsh në spital ku ishte dërguar që në momentin e parë. Ndërsa në një rast, nën kërcënimin e një arme gjahu dhe një thike, u morën 20 euro dy emigrantëve shqiptarë, të cilët po prisnin autobusin në stacion.

Policia thotë gjithashtu se deri tani ka verifikuar 13 grabitje të kryera nga grupi, që prej prillit 2017, kur datohet fillimi i veprimtarisë kriminale.

Ata preferonin para cash, pajisje elektronike dhe automjete.

Login to post comments