Konfindustria: Tarifimi i rrugës së Kombit duhet të jetë 4-5 herë më i ulët sesa tarifa që u vendos

E Enjte, 12 Prill 2018 19:34

Debateve për tarifimin ose jo të rrugës së Kombit i shtohet propozimi që vjen nga Konfindustria, sipas së cilës, për mirëmbajtjen e rrugëve duhet të krijohet ent publik, që duhet të funksionojë edhe përmes bashkëpunimit me Kosovën. Sa i përket rrugës së Kombit, kreu i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku thotë tarifimi duhet të jetë 4-5 herë më i ulët, për vetë specifikat e saj

Deklarata/Për menaxhimin e rrugëve duhet krijuar një Ent Publik i posaçëm Shqipëri-Kosovë

Mirëmbajtja e rrugëve në vend duhet patjetër që të menaxhohet nga një Ent Publik për Menaxhimin e Përdorimit të Rrugëve, madje ky ent duhet të funksionojë përmes një bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë. Ky është propozimi që Konfindustria i bën qeverisë shqiptare, e cila sipas Gjergj Buxhukut duhet të hartojë një strategji të re për rrugët. “Propozojmë që të ngrihet një ent publik mes Shqipërisë dhe Kosovës, që të paktën akset kryesore rrugore që do të tarifohen, të menaxhohen nga ky ent i përbashkët. Mund të jetë edhe një kompani publike, sipas shembujve të vendeve të tjera ndërkombëtare, që raportin e pagesave të qytetarëve, ta kishte ai, dhe të mos përplaseshin privatët me njëri-tjetrin”, tha Gjergj Buxhuku. Ky propozim i Konfindustrisë për ndërtimin e Strategjisë dhe Entit Publik për menaxhimin e përdorimit të sistemit rrugor vjen pas deklarimit të qeverisë, për fillimin e vendosjes së tarifimit të përdoruesve të rrugëve. Për Konfidustrinë, nëse rrugët do të vijojnë të menaxhohen siç bëhet aktualisht, situata e tyre do të jetë e vështirë duke rritur mundësitë e përfitimeve të palëve politike. “Realisht, situata do të jetë e vështirë, pasi kemi të bëjmë me rrugë, që janë arterie kryesore të mënyrës sesi jetojnë njerëzit dhe bizneset, si zhvillohet ekonomia e një vendi, dhe mund të shfrytëzohen shumë lehtë edhe politkisht, për të krijuar edhe trazira, për të futur në konflikt kompanitë me qytetarët etj”, tha Gjergj Buxhuku. Sa i përket tarifimit të rrugës së Kombit, Buxhuku thotë, se vlera e saj duhet të jetë 4-5 herë më e ulët, për vetë specifikat e saj. “Duke pranuar që mund të vendoset për një tarifë shtesë, për faktin se kemi të bëjmë me një rrugë strategjike që kërkon shumë investime dhe mirëmbajtje, që tejkalojnë koston mesatare të mirëmbajtjes së rrugëve në shkallë vendi, që paguhen nga buxheti i shtetit, mund të paguhet edhe një tarifë shtesë. Për mendimin tim, tarifa mund të ishte 4-5 herë më e ulët sesa tarifa që u vendos”.

Modifikuar më E Enjte, 12 Prill 2018 19:36
Login to post comments