Çlirim Shaholli 42-vjeçar i dha fund jetës së gruas së tij duke e qëlluar atë me mjete të forta në kokë, ngjarje e ndodhur mbrëmë në lagjen numër 15 të qytetit të Durrësit, në banesën e çiftit.
Adriana Shaholli 40 vjeçe ndërroi jetë në spitalin e Durrësit pasi nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të shkaktuara nga bashkëshorti i saj me të cilin kishte 6 fëmijë.
Policia bëri të ditur se gjithçka ka nisur nga një konflikt i çastit, i cili ka degjeneruar më pas me përdorimin e sendeve të forta nga ana e 42-vjeçarit. Në dëshminë e dhënë para efektivëve, burri me origjinë nga Korça tha se sherri ka nisur në momentin që ai i ka kërkuar bashkëshortes të hapë dritaren se kishte vapë. Çlirim Shaholli tha se në këtë moment gruaja e tij e shtyu dhe ai reagoi në të njëjtën mënyrë.
42-vjecari mohoi ta ketë dhunuar teksa tha se pasi e ka shtyrë, gruaja e tij ka përplasur kokën në çimento. Ai tha para efektivëve se duke parë gjendjen e rëndë të bashkëshortes së tij e kishte dërguar vetë në spital.
Në momentin e sherrit të çiftit bashkëshortor që përfundoi me vdekjen e 40- vjeçares, gjashtë fëmijët nuk kanë qenë brenda në banesë, por ndodheshin në oborr. Familja kishte vështirësi ekonomike.