Në konferencën e organizuar mes komuniteteve fetare shqiptare, teologëve dhe trupit diplomatik në Shqipëri, u theksua fakti se harmonia dhe dialogu ndërfetar nuk duhen marrë si të mirëqenë!
Harmonia fetare, një vlerë kjo që dallon dukshëm vendin tonë nga shtetet e tjera në Europë e jo vetëm është një vlerë e cila duhet ruajtur dhe ushqyer në vijimësi që titulli të mos mbetet një pikëpyetje, por të bëhet një përgjigje, Shqipëria të bëhet realisht një model i harmonisë ndërfetare për Europën.
Organizatori i kësaj konference, Ambasadori austriak në Tiranë Dr.Johan Sattler gjatë fjalës së tij theksoi se “Nëse ka një gjë që mund të përmirësohet në Shqipërinë e sotme multifetare të sotme, është një hapje për një dialog të qëndrueshëm mes komuniteteve. Kjo konferencë është një platformë për të dëgjuar tjetrin dhe ne si perëndimore mund të mësojmë shumë nga shqiptarët”.
Të njëjtën linjë fjale mbajti edhe ministrja e kulturës Mirela Kumbaro si dhe Nunci Apostolik në Shqipëri ambasadori Charls Brown, të cilët nënvizuan nevojën për të frymëzuar shembuj të bashkëjetesës mes komuniteteve.
Charles J. Brown, Nunci Apostolik në Shqipëri u shpreh se “Ishte toleranca ndërfetare që ekziston në Shqipëri një nga arsyet që Papa Francesku donte të nënvizonte duke zgjedhur këtë vend si vendin e parë në vizitën e tij apostolike jashtë Italisë. Ai gjatë asaj dite jo vetëm vlerësoi harmoninë ndërfetare si diçka të bukur dhe të nderueshme, por edhe faktin se kjo do të shërbente si shembull për vende të tjera”.
Kjo konferencë vijoi më tej më pikëpamjen e liderëve të 5 komuniteteve me të rëndësishme fetare në raport me bashkë ekzistencën e tyre dhe si kjo vlerë duhet edukuar duke kërkuar pikëtakime dhe jo mure ndarëse.
Krerët e komuniteteve fetare e mbyllën konferencën me nënshkrimin e një marrëveshje të përbashkët si një angazhim aktiv në dialogun e vazhdueshëm që gjuhës konfliktuale dhe situatave armiqësore në të cilat bota jeton, për tu përgjigjur me një model të vërtetë bashkëjetese.