Arrestohet kosovari i akuzuar për dhunë dhe mashtrim në familje

Diel, 10 June 2018 11:45

Një 36-vjeçar kosovar është vënë në prangat e policisë në qytetin e Elbasanit për “dhunë në familje” dhe “mashtrim”. Arrestimi i tij u bë pas një urdhërarresti të lëshuar nga autoritetet e Kosovës për 3 vepra penale të kryera në territorin kosovar.

Në pranga ka përfunduar Burim Pushkolli me banim në Vushtrri të Kosovës, ndaj të cilit kishte bërë kallëzim penal 39-vjeçarja S.P. nga Elbasani për dhunë psikologjike e fizike në mënyrë të vazhdueshme gjatë bashkëjetesës së tyre.

Specialistët për hetimin e krimeve e arrestuan në flagrancë 36-vjeçarin edhe për mashtrim, pasi i kishte marrë një shumë prej 100 mijë lekësh 47-vjeçarit nga Elbasani, F.M., duke i premtuar se do ta ndihmonte të regjistronte djalin në Akademinë e Sigurisë në Tiranë. Veç kësaj, ai i ka marrë edhe 50 mijë lekë të tjera 32-vjeçarit nga Elbasani, N.L., duke i premtuar se do ta fuste në punë në Aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë.

Policia e Elbasanit ka komunikuar me zyrën e Interpol Tiranës për verifikimet mbi këtë shtetas dhe rezultoi se ndaj tij pati një urdhërarrest për 3 vepra penale me natyrë mashtrimi.

Hetimet mbi këtë i kanë kaluar tashmë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan.

Login to post comments