Çdo drejtues mjeti që blen makinë të re, do t’i duhet të paguajë kontratë të re sigurimi momentin e kalimit të pronësisë, pavarësisht nëse mjeti mund te këtë një kontratë sigurimi. Ndryshimi vjen përmes një drafti të ri për sigurimin e mjeteve, i cili nuk lejon më që kontrata e sigurimit t’i kalojë blerësit të ri pa asnjë pagesë shtesë.
Aktualisht çdo pronar mjeti që shet makinën, kalon te blerësi edhe policën e sigurimit të mjetit për periudhën e mbetur. Blerësi thjesht duhet të paraqitet pranë kompanisë përkatëse të sigurimit për të kaluar në emër të tij pjesën e mbetur të kontratës pa bërë pagesë shtesë.
Ndërkohë që drafti i ri përcakton që pronari i ri duhet të paguajë kontratë të re sigurimi, ndërkohë që shitësit i kthehen paratë për pjesën e mbetur të periudhës së sigurimit.
“Në rast se ndryshon pronësia e mjetit gjatë periudhës së sigurimit, të drejtat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga kontrata e sigurimit nuk i kalojnë pronarit të ri. Pronari i ri i mjetit motorik duhet të lidhë kontratën e sigurimit, ndërsa pronari i vjetër ka të drejtë të kërkojë kthimin e pjesës proporcionale të primit, në rast se nga kjo kontratë nuk është paguar ndonjë dëm”, – thuhet në draft-ligj.