Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, duket se po luan të gjithë mundësitë e tij për të mundësuar arrestimin e ish-prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Ai ka marrë rolin e hetuesit dhe po ndikon tek institucionet ligjzbatuese për të vënë në pranga njeriun, i cili konsiderohet si kundërshtari më i madh i tij në Shqipëri.
Diplomati amerikan u takua mesditën e së enjtes me Presidentin Ilir Meta, ku, me shumë mundësi ka mohuar që t’i ketë kërkuar Llallës arrestimin e tij në vitin 2015. Pas këtij takimi, ambasadori Lu, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe Drejtori i Policisë, Ard Veliu, kanë zhvilluar një takim për më shumë se një orë në Ambasadën Gjermane.
Rastësi ose jo, por duhet përmendur fakti se Llalla prej muajsh ndan kohën e tij ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë, ku jeton edhe familja e tij pas një largimi të ngutshëm në mesin e vitit 2016.
Pas takimit në Ambasadën Gjermane, Donald Lu dhe Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku, kanë qenë në zyrat e Kryeministrisë, në mbrëmje vonë. Nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për qëllimin e këtij takimi. Por lëvizjet e ambasadorit Lu duket se lidhen me një emër-Adriatik Llalla.
Kjo seri takimesh vjen menjëherë pas reagimit të ambasadorit Lu, lidhur me një letër që Adriatik Llalla ka dërguar në Kongresin Amerikan, në maj 2017, ku e cilësonte diplomatin si të lidhur me Soros dhe që kishte kërkuar arrestimin e Ilir Metës, në kohën kur ky i fundit ishte Kryetar Parlamenti.
Ambasadori Lu, duke mohuar këtë të dhënë të deklaruar nga Llalla, reagoi ashpër duke e quajtur ish-Prokurorin e Përgjithshëm të korruptuar dhe që rrezikon burgun për pasuritë të mëdha të pajustifikuara, sipas tij.
Departamenti i Shtetit ndaloi hyrjen e Adriatik Llallës dhe familjes së tij në Shtetet e Bashkuara, me argumentin se “ka informacione për përfshirje të tij në raste domethënëse korrupsioni”. Nga ana e tij, Llalla reagoi në një media amerikane, duke thënë që “vendimi i Departamentit të Shtetit është marrë për shkak të keqinformimit me dashje që është bërë nga ambasadori Lu”.
Disa javë pas vendimit të Departamentit të Shtetit, Prokuroria e Durrësit nisi hetimin ndaj Adriatik Llallës, për disa vepra që lidhen me pastrimin e parave. Ky hetim nuk është konfirmuar zyrtarisht deri më tani, por u deklarua për herë të parë në një kronikë të Deutche Ëelle, e cila i referohej “një burimi diplomatik në Tiranë”.
Media shqiptare, me gjithë burimet e saj, nuk ka arritur ta konfirmojë hetimin e nisur ndaj Llallës. Mesa duket, në këtë rast, sipas Deutche Ëelle, nisja e hetimit konfirmohet nga “burime diplomatike” dhe jo nga institucionet përgjegjëse. Duket qartë se hetimi, nëse ka nisur, ka ardhur si pasojë e presionit të diplomatëve të rëndësishëm në Tiranë. Pasi, janë këta të fundit që kanë marrë rolin e “zëdhënësit” të Prokurorisë Shqiptare për të informuar median dhe publikun se ndaj Llallës ka nisur një hetim.
Debati i ashpër ndërmjet Donald Lu dhe Adriatik Llallës ka vijuar prej mëse dy vitesh. Në prag të largimit të tij nga Shqipëria, ambasadori amerikan duket se është i vendosur që të penalizojë në maksimum “kundërshtarin” e tij shqiptar, duke nxitur apo ushtruar presion ndaj institucioneve ligjzbatuese në Shqipëri për arrestimin e tij.