Aktorë, qytetarë dhe aktivistë të Shoqërisë Civile janë mbledhur sërish përpara godinës së Teatrit Kombëtar për të kundërshtuar shembjen e godinës nga ana e qeverisë.
Aktorët e quajtën projektligjin që parashikon dhënien e tokës publike ku ndodhet teatri, kompanisë private Fusha shpk, si një skemë të pastër klienteliste antikushtetuese që po i rrëmben qytetarëve pronën publike.
Të vendosur për të mos lejuar këtë vjedhje, aktorët por dhe shumë aktivistë të tjerë kanë paralajmëruar se protestat nuk do të ndalojnë.
Për më shumë se dy muaj, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, një grupim artistësh e qytetarësh kundër vendimit të qeverisë për prishjen e godinës së teatrit, organizoi dëgjesa publike të përjavshme, me qëllim për të kthyer vprojektin e qeverisë për ndërtimin e teatrit me PPP, rrethuar nga një qendër tregtare dhe një sërë kullash.
Por tashmë që qeveria bëri publik projektligjin që i kalon pronësinë e tokës publike kompanisë private, aktorët kanë përshkallëzuar protestat e tyre.