Gjykata e Elbasanit ka zëvendësuar masën e sigurisë për dekanin e Fakultetit të Shkencave-Humane, Albert Riska i cili nga ‘arrest me burg’, tashmë është lënë në ‘arrest shtëpie’.
Në seancën e mbajtur një ditë më parë pa prezencën e medias trupa mbrojtëse kërkoi zëvendësimin e masës së sigurisë për shkak të gjendjes shëndetësore të Riska.
Burime konfidenciale bëjnë me dije se Dekani i akuzuar për korrupsion prej kohësh vuante nga diabeti, ndaj për këtë arsye një vit më parë ka prerë dhe gishtin e këmbës. Po ashtu të njëjta burime garantojnë se Riska kishte probleme edhe me gangrenën.
Duke shqyrtuar kërkesën dhe raportin shëndetësor, gjykata e Elbasanit vendosi zëvendësimin e masës së arrestit, duke e lënë në arrest shtëpie.
Kujtojmë se Dekani Albert Riska në bashkëpunim me shefen e departamentit të gazetarisë Elvira Lumi pedagogen e Fakultetit të Ekonomikut Erjola Calja dhe 4 sekserë të tjerë u arrestuan më datë 9 maj nga policia, e cila aso kohe bëri me dije se personat e arrestuar në bashkëpunim me njeri-tjetrin në kohë të ndryshme, duke shpërdoruar funksionin publik, kanë kërkuar dhe ushtruar ndikim të paligjshëm në rolin e sekserit dhe pedagogut në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” Elbasan për marrjen e notave kaluese nga studentet gjatë sezoneve të provimeve.
Ndërkohë tre ditë më vonë, gjykata e Elbasanit dha masën e sigurisë për tre pedagogët dhe katër sekserët e ndaluar për korrupsion. Katër prej tyre u lanë në burg, ndërsa tre të tjerët në arrest shtëpie. /Faxweb