Transparenca e institucioneve shtetërore dhe ofrimi i të dhënave në adresë të qytetarëve kanë mbledhur në një tryezë zyrën e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe aktorë të shoqërisë civile.
Kreu i kësaj zyre Besnik Dervishaj theksoi nevojën e përmirësimeve ligjore në të drejtën e informimit publik.
Ai tha se në adresë të zyrës kanë mbërritur jo po pak, por rreth 2 mijë ankesa, ndërkohë që theksoi se shumë shpesh institucionet shpenzojnë me tepër energji për të mos dhënë se për të dhënë informacion.
Andi Dobrushi, Drejtori ekzekutiv i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë theksoi domosdoshmërinë e rritjes së transparencës lidhur me prokurimet publike apo koncesionet, si dhe faktin që vendimet e Komisionerit për të Drejtën e Informimit nuk janë të detyrueshme për institucionet publike.
Pjesëmarrësit në tryezë dhanë vlerësimet për ligjin për informimin publik dhe përmbushjen e tij nga autoritetet publike. /scan tv