Maroku mori vetëm 65 vota me kandidaturën për të organizuar Kupën e Botës të vitit 2026 dhe një prej shteteve që e mbështeti ishte Shqipëria. Federata Shqiptare e Futbollit që drejtohet nga Armand Duka ka preferuar shtetin afrikan për t’i dhënë votën dhe jo kandidaturës së SHBA-së, Meksikës dhe Kandasë, e cila u shpall edhe fituese në kongresin e FIFA-s, i zhvilluar sot në Moskë.
Shtetet e Amerikës Veriore do të organizojnë Botërorin pasi arritën të merrnin 134 vota nga shtete të ndryshme të botës. Ndryshe nga Shqipëria, Federata Kosovare e Futbollit ka votuar kandidaturën e amerikanëve.
Në lobimin për kandidaturën e SHBA-së është angazhuar vetë presidenti Donald Trump, i cili kërcënoi shtetet aleate që nuk do e mbështesnin në FIFA, me ndërprerje të mbështetjes.
“SHBA, ka ndërtuar një kandidaturë të fortë bashkë me Kanadanë dhe Meksikën për botërorin e 2026. Do të ishte një mekat që kombet të cilat ne i mbështesim rregullisht të vendosnin të bashkohen kundër kandidaturës tonë. Përse në duhet të mbështesim ende këto kombe kur ata nuk janë nga ana jonë (përfshi ato në OKB)?”,- shkruante Trump në ‘Twitter’ në fund të muajit prill.