Me rastin e përvjetorit të 25-të të gjetjes dhe nxjerrjes së eshtrave të 22 martirëve të pushkatuar me pretekstin e dinamitit në legatën sovjetike në shkurt 1951, si edhe të përurimit të botimit të dytë të plotësuar me dokumente të reja të librit "Bombë në legatën sovjetike" të historianit Uran Butka, Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Instituti i Studimeve Historike "Lumo Skëndo" dhe Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politike, organizuan sot një takim në sallën UNESCO të Muzeut Historik Kombëtar. Të pranishmit kujtuan çaste nga zbulimi i eshtrave të martirëve 25 vjet më parë, si dhe sollën fakte e dëshmi prekëse. Në këtë kuadër u fol edhe për librin e studiuesit Uran Butka, i pari person në Shqipëri që është marrë me këtë çështje, që ka qenë një akt i terrorit shtetëror mbi inteligjencien e vendit.