Breshëri shkatërron kulturat bujqësore në Kukës

E Enjte, 14 June 2018 08:44

Mesdita e dites se djeshme ka sjellë reshje të dendura shiu në fshatrat e thellë të qarkut të Kukësit, madje në fshatin Vilë të Njësisë Administrative Bushtricë, ka rënë breshër.

Banorët raportojnë, se breshëri ka qenë i dendur, çka ka ndikuar në dëmtimin e kulturave bujqësore.

Një nga banorët e zonës, shprehet, se janë dëmtuar të gjitha frutat, perimet deri tek misri dhe gruri.
Ai thekson, se shiu kaq i dendur dhe breshëri kanë zgjatur për më shumë se 1 orë, duke dëmtuar të gjitha kulturat bujqësore.

“Ka qenë ora 13:00 kur filloi vranësira, pastaj nisi shiu dhe breshëri. Ishte breshër shumë intensiv. Unë kam bërë edhe foto të situatës që u krijua, ku dëmet kanë qenë të konsiderueshme. Gjethet e rrushit dhe frutave të tjera, bashkë me lulet që kishin çelur janë dëmtuar. Dëmtime kam konstatuar edhe në kopshtin e familjes sime, si tek misri dhe perimet. Gjithçka çfarë ne kishim kultivuar, u dëmtua” thotë Rizai, një nga banorët e fshatit.

Ata i bëjnë apel institucioneve shtetërore, që të shkojnë dhe evidentojnë dëmet e shkaktuara, pasi gjithçka çfarë ata kishin kultivuar, tashmë është shkatërruar nga breshëri.

“Këta të bujqësisë duhet të vojnë dhe të shohin situatën, pasi të gjitha kulturat bujqësore janë dëmtuar. Duhen bërë verifikime dhe pse jo të dëmshpërblehemi, pasi breshëri ishte shkatërrues për frutat dhe perimet. Ne vetëm me kultivimin e produkteve bujqësore jetojmë” thotë një tjetër banor.

Banorët e zonës kanë njoftuar edhe specialistët e drejtorisë së Bujqësisë në Kukës, të cilët janë nisur drejt fshatit për të parë nga afër se çfarë ka ndodhur.

Breshëri intensiv në këtë periudhë dëmtoi kulturat bujqësore edhe në fshatrat e Njësisë Administrative Bicaj, por fermerëve të zonës nuk iu dha asnjë dëmshpërblim nga Ministria e Bujqësisë.

Login to post comments