Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, ka ndërprerë transmetimin live të dëgjesës publike për Teatrin Kombëtar.
Fjalën e ka marrë aktori Bujar Asqeriu, ndërsa Veliaj i ka kërkuar ndjesë se nuk e dinte se kishte për të marrë fjalën edhe Asqeriu.
Aktori iu ka thënë në sy të dyve, ministres Mirela Kumbaro dhe kryebashkiakut Veliaj, se ka një klimë mosbesimi pasi shteti shqiptar vjedh.
Faxweb.al ka siguruar pamje të drejtëpërdrejta edhe pas ndërprerjes së sinjalit.
Gazetarja Eksiola Shehu raporton nga dëgjesa publike me aktorët se Asqeriu është shprehur:
“Këtu u fol për klimën e sinqeritetit dhe të mosbesimit. Zoti Kryetar, zonja ministre, ne dyshojmë se shteti juaj vjedh, prandaj është kjo klimë t’i themi hapur gjërat. Këtu korrupsioni është galopant, korrupsioni nuk është fllad deti, këtu përvetësohet paraja publike. Ky është shqetësimi kryesor i qytetarëve. Njerëzit duhet të kuptojnë se kjo tokë kushtoi kaq, ky teatër kushtoi kaq. Jo të na mbushni mendjen neve që këtu s’ka korrupsion, por institucioneve ndërkombëtare, DASH dhe BE. Edhe për turistin që vjen dhe do të dijë si ka qenë Teatri para 100 vite është mirë që të ruhen vlerat. Unë nuk jam nostalgjik, po unë besoj, në atë Teatër janë dhe zërat e artistëve që sot nuk janë më.”