Gent Sejko, në samitin "Stabiliteti financiar dhe monetar në rajon, 10 vjet pas krizës financiare globale"

Hënë, 18 June 2018 12:00
Në datat 14-16 qershor 2018, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë në samitin vjetor të vendeve të rajonit të mbajtur në Becic, Mal i Zi. Në këtë samit, pjesëmarrës ishin përfaqësues të lartë të bankave qendrore të Malit të Zi, Maqedonisë, Bosnje-Hercegovinës, Kroacisë, Kosovës, Serbisë si dhe ministra të financave dhe drejtorë të tatimeve nga vendet e rajonit.

Samiti i këtij viti, me temë "Stabiliteti financiar dhe monetar në rajon, 10 vjet pas krizës financiare globale", trajtoi zhvillimet më të fundit në ekonomitë e rajonit.
Paneli i guvernatorëve në të cilin, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, ishte i ftuar të mbante një fjalë për të pranishmit, diskutoi rreth temës “Politika monetare dhe stabiliteti i sistemeve bankare në vendet e rajonit – Një dekadë pas falimentimit të LehmanBrothers”.
Në krye të fjalës së tij, Guvernatori Sejkovlerësoi rëndësinë e pjesëmarrjes në aktivitete të tilla, si një mundësi për të ndarë pikëpamjet e përvojat, si dhe për të shkëmbyer eksperiencat ndërmjet bankave qendrore. Në vijim, Guvernatori prezantoi për pjesëmarrësit një nga çështjet më sfiduese me të cilën, Banka e Shqipërisë po përballet aktualisht, ecuria e kursit të këmbimit.
Në fjalën e tij, Guvernatori u shpreh se regjimi i shënjestrimit të inflacionit dhe regjimi i kursit të lirë të këmbimit, të cilët janë zgjedhur dhe zbatohen në Shqipëri, kanë funksionuar më së miri dhe kanë ndihmuar Shqipërinë në procesin e saj të konvergjencës, duke mundësuar norma të larta rritjeje ekonomike, stabilitet ekonomik e financiar, dhe rritje e zgjerim të sektorit financiar. Në veçanti, ai theksoi se regjimi i kursit të lirë të këmbimit ka rritur fleksibilitetin tonë në përballimin e goditjeve dhe ka ndihmuar në reduktimin e kostove të tyre. Ky fleksibilitet u demonstrua së fundmi edhe nga episodi i ngjarjeve të krizës së fundit botërore, kur nënçmimi i kursit të këmbimit i mundësoi Shqipërisë të ribalanconte bilancin e saj të shkëmbimeve tregtare me jashtë dhe mundësoi ndjekjen e një politike monetare stimuluese, në interes të nxitjes së kërkesës agregate dhe minimizimit të kostove mbi bizneset dhe familjet shqiptare.
Në vazhdim, Guvernatori theksoi se, edhe në regjime të lira të kursit të këmbimit, politika monetare duhet të mbajë parasysh në mënyrë konsistente dhe koherente lëvizjet e kursit të këmbimit, për sa kohë dhe në masën që këto lëvizje ndikojnë ecurinë e inflacionit.
“Luhatjet afatshkurtra të kursit të këmbimit janë normale në një regjim plotësisht të lirë të kursit. Reagimi i bankave qendrore duhet të varet nga ndikimi i tyre në inflacion, që në vetvete varet nga intensiteti dhe kohëzgjatja e kësaj luhatjeje. Sa më e madhe kohëzgjatja dhe sa më i lartë intensiteti i goditjeve, aq më i madh do të ishte ndikimi në inflacion, aq më i madh rreziku i ndryshimeve të shpejta në pritjet e inflacionit, dhe aq më e lartë nevoja për reagim sistematik të politikës monetare.” – tha Guvernatori.
Në mbyllje, Guvernatori Sejko u shpreh se masat e marra së fundmi nga Banka e Shqipërisë janë në koherencë të plotë me këtë filozofi. Rritja e stimulit monetar nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit synon të kompensojë – në afatin e mesëm – presionet dezinflacioniste që vijnë nga forcimi i shpejtë i kursit të këmbimit. Paralelisht me të, përdorimi i ndërhyrjeve në tregun e brendshëm valutor synon të garantojë publikun mbi gatishmërinë dhe aftësinë tonë për përmbushjen e objektivit të inflacionit. Formatimi i tyre si një masë mbrojtëse e instancës së fundit, e vënë ekskluzivisht në funksion të përmbushjes së objektivit të stabilitetit të çmimeve dhe e kufizuar në kohë, është njëkohësisht në linjë me angazhimin tonë për ruajtjen e një regjimi të lirë të kursit të këmbimit në afatin e mesëm dhe të gjatë.

Login to post comments