Ministri i Brendshëm i Kroacisë, Davor Bozhinoviç ka përjashtuar çdo mundësi që shteti i tij të kthehet në vendgrumbullimi për refugjatët e Evropës. Pas vizitës në Berlin, Bozhinoviç ka deklaruar se “Kroacia nuk do të shndërrohet në hot-spot për regjistrimin e refugjatëve”. Bozhinoviç thotë se Kroacia ka mjete të mjaftueshme për të evituar që ky vend të shndërrohet në një pikë të këtillë regjistrimi.
“Kroacia ka policinë më të fuqishme kufitare në mbarë Evropën”, thotë Bozhinoviç. Ai shpreson se Gjermania dhe vendet e tjera do ta shpërblejnë këtë angazhim me anëtarësimin e Kroacisë në zonën Shengen. Në këtë segment Kroacia është në gjendje të matet edhe me “të mëdhenjtë”.
“Ne kemi biseduar dhe kemi rënë dakord që të ndihmojmë vendet fqinje në Ballkan, që përballen me këto probleme. Këtu në radhë të parë mendoj për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën”, është shprehur ai.
“Investimi për sigurinë e këtyre vendeve ka një influencë pozitive edhe për Kroacinë dhe vendet e tjera të BE”, thotë ministri kroat. Kjo nuk është ide e re. Këto ditë është folur shpesh për krijimin e një pike të regjistrimit (hot-spot) jo vetëm në Afrikën e Veriut, por edhe në Ballkanin Perëndimor, më konkretisht në Shqipëri, mbyllet raportimi i ‘DW’.
Por ndërkohë që ministri i Kroacisë vijon të flasë për mundësinë që Shqipëria të kthehet në kamp gjigant për refugjatët, Qeveria e Edi Ramës mohon diskutimet për këtë çështje. Opozita ka denoncuar se kryeministri Rama po përsërit të njëjtën metodë si me armët kimike, kur shqiptarët u vendosën përpara faktit të kryer vetëm pas raportimit në mediat e huaja.