Pesë të arrestuarit, si pjesë e një grupi kriminal që grabiste kasafortat, akuzohen për të paktën 20 goditje në të gjithë vendin, ku 11 prej tyre u realizuan në Tiranë. Të pestë kanë precedentë kriminalë në grabitje, ndërsa uniformat blu kanë zbuluar edhe mekanizmin sesi operonin në terren.
Grupi kriminal që u godit të hënën nga Policia e Tiranës akuzohet për 20 grabitje biznesesh në të gjithë vendin, ku 11 prej tyre u realizuan në Tiranë, 6 grabitje në Durrës, një në Kavajë dhe 2 të tjera në Berat.
Shuma totale që ndodhej në 20 kasaforat e grabitura, ende nuk është bërë e ditur, pasi po përllogariten vlerat monetare që pronarët e bizneseve kanë deklaruar.
Dyshimet e para flasin për miliona euro që ky grup arriti të grabiste nëpër biznese të ndryshme, siç ishin supermarkete, dyqane, mobilieri, etj dhe që një pjesë e mirë e parave mendohet se i kanë shpenzuar në lojërat e fatit.
Policia, në referimin e materialeve drejt prokurorisë, thotë se 5 grabitësit ishin përdorues të lëndëve narkotike dhe se u lokalizuan përmes qelizave të celularit, ndërsa po krahasohen kampionet biologjike që u gjetën në vendet ku ndodhën grabitjet.
Mekanizmi ishte tipiku i grupeve të dhunshme. Të gjithë kanë qenë të dënuar më parë për grabitje, ku i fundit që la qelinë në maj të këtij viti, ishte Engrit Hënaj, një ish-polic i “Shqiponjave” që ishte arrestuar shtatorin e vitit të kaluar, sepse i jepte informacione një grupi kriminal.
Gjatë marrjes në pyetje, orët e fundit, 31-vjeçari Hënaj pranoi se merrte makina dhe ua jepte 4 të tjerëve, për të realizuar grabitjet, gjithmonë në orët e natës, ku lëviznin të armatosur.
Një “Peugeot” që u sekuestrua nga policia, ishte njëra prej këtyre automjeteve, ndërsa një “Benz” dhe një “BMW”, gjithashtu të sekuestruara, rezultojnë të vjedhura.
Valmend Pelivani, 27-vjeçari që u akuzua për një plagosje në Selitë, ngjarje kjo e ndodhur në shkurt, është një tjetër anëtar i bandës.
Ai njihet si kundërshtar i Emiljano Shullazit, ndërsa pjestari i tretë në këtë grup kriminal ishte Elton Lika, 35 vjeç, i dënuar me 12 vite burg në vitin 2011 si anëtar i grupit “Hijet e natës”, të cilët gjithashtu grabisnin kasaforta dhe shpenzonin paratë në kazino.
Dy të arrestuarit e tjerë, Sajmir Kuci, 35 vjeç dhe Donald Ahmetaj, 28 vjeç, gjithashtu kanë qenë të dënuar për grabitje.