Arratisja e 3 shqiptarëve nga një prej paraburgimeve të Athinës ka bërë bujë dhe në mediat greke, jo vetëm për mënyrën se si ata arritën të largoheshin por edhe për jetën e tyre luksoze në rrjetet sociale.
“Bënin një jetë të shtrenjtë. Makina luksoze, skafe dhe gra të bukura. Ishin të papunë, por në rrjetet sociale ekspozonin një jetë tjetër”.
Me këto fjalë i ka përshkruar tre shqiptarët e përditshmja greke “Protothema”, të cilët prenë hekurat e dritares së katit të dytë dhe u hodhën nga 10 metra lartësi.
Policia thotë se është vënë në ndjekje të shqiptarëve, por ende nuk ka të dhëna që ata të jenë kapur. Autoritetet kishin punuar për një kohë të gjatë për t’i vendosur ata në pranga më 19 mars të këtij viti.
Gjatë kontrolleve të banesave u gjetën sende të shumta të vjedhura, telefona, aparate fotografikë, orë të shtrenjta, bizhuteri si dhe 120 kg hashash.
“Nga profilet e tyre në rrjetet sociale “Protothema” shkruan se ata janë “të guximshëm dhe sfidues të ligjit duke ekspozuar flamuj shqiptarë, kallashnikovë, drogë dhe jetë e shtrenjtë”.
Anëtarët e kësaj bande kishin një dobësi të veçantë për femrat e bukura, të cilave u dhuronin “një pjesë të gjahut” si parfume, bizhuteri dhe rroba të shtrenjta. Emrat e shqiptarëve nuk bëhen ende të ditur për arsye hetimi.