Një grup nga diaspora shqiptare në Hollandë i kanë kërkuar parlamentit holandez të mos bllokojë hapjen e negociatave me BE-në për Shqipërinë. Ata kanë hartuar një peticion dhe ja kanë dërguar atë parlamentin holandez.
Pas publikimit të Raportit të Progresit të Komisionin Evropian për Shqipërinë, Holanda ka qenë një prej vendeve më e pavendosur për qëndrimin që do të mbajë ndaj hapjes së negociatave të BE-së me Shqipërinë.
Për këtë arsye, një grup deputetësh vizituan dhe Tiranën për të parë nga afër ecurinë e reformave, por këtu u përballën me përçmimin dhe ofendimet e Kryeministrit Rama. Ndërsa një vizitë e ministrave Xhafaj dhe Gjonaj në Holandë nuk mund të prodhojë ndonjë rezultat konkret.
Shtetet e BE-së do të votojnë për hapjen e negociatave gjatë samitit të Këshillit Evropian më 28-29 qershor. Ditët e fundit, media të ndryshme kanë raportuar se Këshilli do të pranojë rekomandimin e KE-së për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë, por nuk ka caktuar ende një datë zyrtare, duke shtyrë kështu fillimin e negociatave.