Nga Ilirian Demiri
Në Shqipërinë tonë gjithçka po shkon rrokopujë. Vetëm politikanët, këta monstra të çuditshme, duartrokasin për ngritjen ekonomike të familjes së tyre, kur shumica e shqiptarëve po varfërohet në ekstrem. Për ta askush nuk pyet. Ndërsa një klasë e tërë politike që po e mbajmë mbi shpinë prej afro 30 vitesh, vetëm na mashtron e na nëpërkëmb si ia do qejfi asaj.
Varfëri në rritje, paga minimale, sa na mjaftojnë veç për të mbajtur frymën gjallë. Aq sa sot shumica e shqiptarëve mjaftohen vetëm duke folur me veten. Në këtë derexhe e ka çuar shqiptarin monstra politikë, që di vetëm të gënjejë e të mashtrojë. Aq sa sot në Shqipëri të gjithë turfullojnë nga pakënaqësia. Sikur sot të bëheshin zgjedhje, ndoshta asnjë shqiptar nuk do të dilte t’i afrohej kutisë së votimit.
Veçanërisht mësuesit, me të cilët kujt i teket vetëm tallet me të. Mësuesit këto ditë janë të stërlodhur nga puna me dokumentet për mbylljen e vitit shkollor. Bile të stërlodhur me morinë e letrave që duhen plotësuar. “Na konsiderojnë skllevër, ndaj na vënë në zgjedhë për të plotësuar aq shumë letra që nuk i duhen askujt, bile as nuk i sheh kush, veç drejtorit të shkollës që u hedh një sy, për t’i vënë në një cep të raftit. Se as ai nuk sheh çfarë kemi zhgaravitur ne”,- tregojnë mësuesit e nervozuar.
Më shumë ndjehen të nervozuar për mashtrimin që u është bërë që nga fund viti I shkuar për rritjen e pagës së tyre. Se me pagën që kanë, sot mësuesit nuk kanë të drejtë t’ia hedhin syrin detit. Të paktën këtë e thonë vetë. Ndaj ata prisnin një rritje të pagës gjatë muajit korrik. Siç u ishte premtuar në pragun e festës së fundvitit të kaluar.
Kur të gjithë festonin vitin e ri 2018, Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ua përsëritën me dhjetra herë mësuesve se paga e tyre do të rritej me 40 për qind gjatë mandatit të dytë të rilindësve. “Shtesa do të nisë që prej vitit 2018, një gjë e tillë parashikohet edhe në buxhetin për vitin e ardhshëm”,- theksonte në takimet me mësuesit Nikolla.
Iku mesi i vitit. Hesht kryeministri,. hesht Ministrja. Të gjithë heshtin, ndërsa mësuesit këto ditë I kërkojnë vetëm të plotësojë vargun e letrave. Për rritje page, as i shkon mendja ndokujt. Mësuesit në shenjë talljeje, Ministrja I thotë mësuesit të kthyer tashmë në skllav: “ më mirë rri brenda në shtëpi, se këto dy muaj është shumë nxehtë. Dhe i nxehti i madh të bën dëm në shëndet. Nuk të duhet bregdeti ty, se gjithçka aty është shumë shtrenjtë”.
Tashmë premtimi I fundvitit ashiqare duket se ishte një mashtrim ekzemplar i rilindësve. Ashtu si shumë mashtrime të tjera që ranë mbi kurrizin e mësuesve, tashmë të kthyer në skllevër. Në mënyrën më qesharake, vazhdon realizimi i një reforme që nuk ka fund. Këtë e dinë mirë gjithë shqiptarët. Një reformë pa fillim e pa fund. Një reformë në arsim që nis sa herë ndërrohet Partia në pushtet, aq herë nis reformë e re. Ndoshta kjo është acik arsyeja e vërtetë që sistemi I arsimit ka degjeneruar aq sa askush tashmë nuk beson se do të mund të ndryshojë gjë për mirë. Është kjo arsyeja që shumë shqiptarë për t’i arsimuar fëmijët jashtë vendit marrin kredi nëpër banka. Vetëm në këtë sistem të degjeneruar të mos e lënë të ardhmen e fëmijëve të tyre. Deri në këtë gjendje ka ardhur besimi i shqiptarëve te sistemi arsimor që kanë kullandrisur myteberët tanë.
Tashmë ka ardhur koha, që vetë ministrja t’u tregojë të vërtetën mësuesve. Pse nuk kanë ata rritje page këtë fillim korriku? Në fund të fundit, pse u mashtruan aq trashë në pragun e festës së fundvitit ?
Në këto kushte, ku është zhytur sistemi arsimor, duket groteske, kërkesa e Ministres që të vijojnë studimet për mësuesi, nxënësit që mbarojnë me nota mbi 9. Është qesharake një kërkesë e tillë. Kur me mësuesin tallen edhe kur nuk e paguajnë për punën e bërë. Bile kënaqen, kur tallen me të. Tallje është ta detyrosh mësuesin të punojë si administrator i provimeve të qershorit në shkollën 9 vjeçare dhe të mesme dhe të mos e paguash, siç po ndodh prej vitesh. Kur më parë kjo punë paguhej, administrator viheshin mësues të afërm e shokë të drejtorëve. Ndërsa tani vihen mësuesit më fakirfukarenj që nuk kanë të afërm e miq në drejtoritë arsimore. Një gjë e tillë nuk është vështirë të verifikohet. Këtë e tregojnë vetë mësuesit.
Kjo klasë politike duhet ta dijë mirë se, edhe pse heshtin, mësuesit nuk mashtrohen lehtë. Ata e dinë se këta farë politikanësh, pagën e mësuesit nuk e kanë në listë. Mësuesit e idenë se edhe gjatë 4 vjecarit të parë të rilindësve, paga e tyre nuk u rrit, po në prag të zgjedhjeve, rilindasit, pranuan të bënin një rritje sa për të mbuluar inflacionin e 4 viteve. Një gjë e tillë duhet të bëhet çdo vit, po hajde merri vesh këta myteberë, që ne shqiptarët, fatkeqësisht I mbajmë mbi shpinë. Pra, jo se pati rritje page, po thjesht mbulim inflacioni të katër viteve së bashku.
Vetëm edhe kjo klasë politike duhet ta dijë mirë. Mësuesi përgatit të ardhmen e këtij vendi. Se është kështu pa, kur e pyetën Kryeministrin japonez mbi sekretet e zhvillimit teknologjik të vendit të tij ai thjesht u përgjigj: “Mësuesit i dhamë rrogën e ministrit, imunitetin e diplomatit dhe autoritetin e Perandorit”. Ndërsa sot në Shqipëri me mësuesin kujt i çohet me ndera nis e tallet. Kjo është acik e vërteta.
Tashmë arsimi i zhytur në një gropë llumi e ka të vështirë të pastrohet edhe sikur të kryejë reformat e njëpasnjëshme, siç po ndodh në fakt. Në gjendjen ku ka rënë arsimi gjithçka që mund të flasësh duket groteske dhe tragjike njëherësh. Tashmë janë jo të paktë mësuesit që e vlerësojnë arsimin si sektori ku është më lehtë të lahet m…ti me sh…rrë. Thjesht sepse arsimi është vrima e fundit e kavallit. Ja, po shtohen taksat, ndërsa paga qëndron në vend. Kështu nuk mund të flasim për mirëqenie, po thjesht për një varfërim të tejskajshëm. Dhe e vërteta është së mësuesi po varfërohet nga dita në ditë. Dhe me të vazhdojnë të tallen kush të dojë. Kështu sot, nesër … kështu edhe në të ardhmen. Deri sa ky sektor të braktiset krejtësisht nga të gjithë. Edhe pse tani me mbarimin e këtij viti shkollor, sipas përgatitjeve që po bëhen, është e qartë se numri i shkollave do të bjerë ndjeshëm, gjë që do të rrisë edhe numrin e mësuesve të papunë.