Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi Konsullin e Nderit të Shqipërisë në Hungari, Avni Hafuzi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”“Në shenjë vlerësimi për kontributin e çmuar në thellimin dhe forcimin e marrëdhënieve të gjithanshme mes Shqipërisë dhe Hungarisë, si dhe për ndihmesën e vyer në promovimin e kulturës dhe traditës shqiptare në Hungari”.
Presidenti Meta shprehu mirënjohjen për kontributin e dhënë nga Konsulli i Nderit duke vënë në dukje se: “Kam privilegjin që si President i Republikës të vlerësoj një personalitet që kontribuon për lartësimin e emrit të vendit tonë në Hungari, duke punuar për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat.”
Në pritjen e veçantë me ambasadorë dhe përfaqësues diplomatikë të akredituar në kryeqytetin hungarez, të zhvilluar në ambasadën shqiptare me rastin e vizitës zyrtare të kreut të shtetit, Presidenti Meta, duke vlerësuar përkushtimin e zotit Hafuzi sidomos për promovimin e imazhit, kulturës dhe traditave të vyera shqiptare, theksoi se shqiptarët ndihen krenarë dhe mirënjohës që përfaqësohen nga personalitete të tilla në botë.