Një grup tjetër shqiptar i përfshirë në grabitje të specializuara të banesave në Spanjë është goditur nga policia vendase.
Në kuadër të operacionit ‘Habitat Butrinto’, agjentët e Gardës Civile kanë shpërbërë grupin kriminal të shtetasve shqiptarë, të specializuar në kryerjen e plaçkitjeve me dhunë të shtëpive të banuara. Hetimet filluan majin e kaluar, pas një grabitjeje të dhunshme me armë zjarri.
Gjatë grabitjes, brenda ishin pronarët, dy fëmijët e tyre dhe punëtorët. Pas përplasjes me armë, u plagos pronari i banesës, ndërsa autorët për disa minuta grabitën paratë dhe bizhuteritë.
Si rezultat i hetimit, agjentët identifikuan disa nga autorët e krimit, të cilët ishin përfshirë edhe në katër sulme të tjera në Madrid dhe Barcelonë.
Grupi ishte shumë i dhunshëm i përbërë nga 4 burra me origjinë shqiptare, ndërsa aksionet e tyre i bënin gjatë darkave, pavarësisht se brenda banesave ndodheshin pronarët. Fillimisht, ata zhvillonin kontrolle paraprake dhe përzgjidhnin shtëpitë që ishin më të përshtatshme për t’u grabitur.
Prioriteti i tyre ishin kasafortat, ndërsa nuk hezitonin të përdornin dhunën kundër banorëve në rast se ata ishin brenda.
Pas hetimeve, policia zhvilloi kontrolle të shtëpive ku ata jetonin në Barcelonë dhe Santa Coloma de Gramenet.
Policia sekuestroi një pjesë të bizhuterive të grabitura, ora të shtrenjta, çanta të shumta, syze dielli, valutë të huaj, 5 000 euro, dokumentacione të rreme dhe mjete të përdorura për sulmet.
Të ndaluarit janë katër djemë me origjinë shqiptare, të moshës mes 24 dhe 33 vjeç, me një të kaluar me histori të ngjarjeve të grabitjeve si dhe me identitete të ndryshme. Pas vendosjes në dispozicion të autoritetit gjyqësor , tre prej tyre u dënuan me burg.