Presidenti i Republikës, Ilir Meta, pranoi sot Letrat Kredenciale nga Ambasadori i ri i Indisë në vendin tonë, Thanglura Darlong, me rezidencë në Bukuresht.
Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet miqësore e të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Indisë, si dhe lidhjen e fortë që Nënë Tereza krijoi midis dy vendeve. Në mënyrë të veçantë, Presidenti Meta nënvizoi nevojën e rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, si dhe të kontakteve të drejtpërdrejta mes sipërmarrësve dhe qytetarëve të të dy vendeve.
Gjetja e mekanizmave praktike për lehtësimin e regjimit të vizave dhe lëvizjes së sipërmarrësve dhe qytetarëve të të dy vendeve do të ndihmonte shumë në këtë drejtim – theksoi Presidenti Meta.
Ndërsa, duke iu referuar zhvillimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Presidenti Meta, nënvizoi se një rishikim i pozicionit të Indisë ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës do të ishte një kontribut i drejtpërdrejtë për forcimin e paqes dhe stabilitetit në këtë rajon.