Policia greke ka bërë të mundur arrestimin e një prej tre shqiptarëve të arratisur pak ditë më parë nga burgu. Bëhet fjalë për Gertian Vrushaj, 24 vjeç, ndërkohë, në kërkim janë dy të rinjtë shqiptarë, Marjus Dedolli, 31 vjeç, si dhe një 17-vjeçar.
Operacioni për arrestimin e tyre po zhvillohet në zonën e Luca-Koropi të Atikës në rajonin e Athinës. Të rinjtë akuzohen për një sërë vjedhjesh. Të arrestuarit ishin pjesë e bandës me 5 veta që u kapën në 13 qershor me akuzën e 72 vjedhjeve në zonën e Atikës me një vlerë mbi 400 mijë euro.
Kujtojmë se ndërtesa ku u arratisën shqiptarët nuk kishte as ashensor, as parking si dhe nuk ka kushte sigurie për të qenë komisariat policie.
Shqiptarët ishin të specializuar në alpinizëm-kacavjerrje dhe kështu arrinin të hapnin shtëpi të pallateve shumëkatëshe. Tre të arratisurit, (një prej tyre në pranga) do përballen dhe me akuzat e tregtisë së drogës pasi në shtëpinë e kapobandës u sekuestruan 18 kg kanabis dhe 3 peshore.