Edhe pse ende nuk ka asnjë njoftim zyrtar për eurot e sekuestruar në Portin e Durrësit, mësohet se shifra e saktë e tyre është 3 milion e 470 mijë euro.
Siç bëhet me dije nga burime policore, eurot ishin fshehur në dy makina ‘Toyota Yaris’ të cilat kishin ardhur nga Ancona bashkë me disa makina të tjera të ngarkuara në trajler.
Blutë e Durrësit kanë shoqëruar tre persona, pronarin e kamionit që po transportonte makinat, Edi Lika, shoferin si dhe djalin e pronarit të kamionit që shoqëronte shoferin, Klevis Lika, 19 vjeç.
Pak ditë më parë, duke folur në Parlament, kreu i PD-së, Lulzim Basha iu drejtua Taulant Ballës, duke i thënë se makinën me para droge ia kishin zbuluar.
Edhe pse kjo deklaratë u duk e çuditshme kur u tha nga kreu u PD-së, duket se Basha ka pasur informacion të saktë për makinën me lekë që ishte nisur drejt Shqipërisë.
Ndërsa, tani pritet të verifikohet lidhja e Ballës me sasinë e parave. /55News.al/