Qeveria e Egjiptit do të njohë së shpejti pakicën egjiptiane në Ballkan. Lajmi u bë i ditur nga Nour Al-Tamini, përgjegjës për dosjen e egjiptianëve të Ballkanit në qeverinë e Egjiptit, gjatë një takimi në Tiranë me përfaqësues të këtij komuniteti. (Foto ilustruese)
“Qeveria egjiptiane është në pritje për të njohur egjiptianët e Ballkanit. Kemi një administratë të re në Egjipt që po punon dhe besoj se do të kemi rezultate shumë të mira shumë shpejt”, tha Nour Al-Tamini.
Përfaqësuesi i qeverisë së Egjiptit u shpreh se, komuniteti egjiptian në Shqipëri, në ndryshim nga vendet e rajonit, duhet të organizohet më mirë për mbrojtën e kauzës së tyre.
“Në Shqipëri ka shumë egjiptianë dhe prisja të kishit një organizim të mirë të komunitetit, por nuk më rezulton kështu. Ju lutem më ndihmoni që në Egjipt të shkojmë me një filozofi të përbashkët, me studime të plota, pasi po punoj për çështjen e egjiptianëve në Ballkan. Shpresoj që të kemi së shpejti një bashkim të të gjithë komunitetit tonë, dhe të ndërmarrim hapa konkrete tani që shteti i Egjiptit pret që të njohë egjiptianët e Ballkanit”, vijoi ai.
Historianët thonë se 3000 vjet më parë Egjiptianët lëvizen drejt Ballkanit në kërkim të metaleve, por pasardhësit e disa prej atyre emigrantëve egjiptianë janë ende të shpërndarë nëpër shtetet e Gadishullit Ballkanik. Prej dekadash kërkesa e tyre është të njihen si pakicë nga shteti i Egjiptit. (BW)