Ballkonet e mëdha jashtë fasadave janë karakteristike e objekteve të banimit në Shqipëri, por kur vjen puna për shitjen e një apartamenti, ballkoni ndikon negativisht në vlerën e banesës.
Meqenëse tregu i banesave është një sektor i rëndësishëm i ekonomisë dhe ka ndikim domethënës në sektorë të tjerë të ekonomisë, kërkimi për modelimin e çmimeve të banesave bëhet një çështje thelbësore. Ndaj edhe INSTAT ka publikuar një kërkim shkencor ku ka studiuar variablat që ndikojnë në çmimet e banesave, qoftë pozitivisht, qoftë negativisht.
Në një kampion banesash të shitura që u morën nga agjencitë imobilare gjatë 2017-2018 u gjet, se variablat që ndikojnë negativisht janë: kati, ballkoni pothuajse në shumicën e minibashkive të Tiranës
Ndërsa ndikojnë pozitivisht në çmimet e banesave sipërfaqja në metra katror, numri i dhomave të gjumit, mosha e ndërtesës ose viti i ndërtimit dhe shumica e variablave të minibashkive.
Elementet në studim tregojnë se ndikim pozitiv në çmimin e banesave kanë madhësia, dhomat e gjumit, ashensori, banja, mosha dhe vendi. Studimi ka gjetur se, vendi është përcaktuesi kryesor i çmimeve në njësinë nr.5 në kryeqytet ose siç njihet ndryshe zona e Bllokut.
Ky është studimi i parë i variablave që ndikojnë në çmimin e banesave për rastin e Tiranës. Koeficientët tregojnë që shumica e variablave të pavarura janë shumë të rëndësishme dhe tregojnë një lidhje të saktë me çmimin.
Megjithatë, disa variabla në dukje nuk janë të rëndësishme dhe nuk kanë ndikim në çmim. Më konkretisht, niveli i katit nuk duket i rëndësishëm dhe tregon që familja shqiptare preferon të blejë apartamente në nivelet më të ulëta të ndërtesës. Në mënyrë të ngjashme, ballkoni i ndryshueshëm nuk është i rëndësishëm, sepse tregon që familja shqiptare duhet të jetë më racionale dhe të kërkojë më shumë hapësirë brenda apartamentit sesa ballkone.
Gjatë dy dekadave të fundit, Shqipëria ka përjetuar një rritje (bum) të rëndësishme në sektorin e ndërtimit, kryesisht në tregun e banesave.
Periudha e tranzicionit u shoqërua me ndryshime në faktorët demografikë, ekonomikë dhe socialë, të cilët, nga ana e tyre, kanë rritur kërkesën për ndërtime të reja. Tregu i banesave paraqet një element të rëndësishëm, jo vetëm për ekonominë shqiptare, por edhe për kulturën shqiptare.
Shqiptarët e konsiderojnë pronësinë e një shtëpie si një nga nevojat parësore dhe fillestare. Në këtë drejtim, migrimi i brendshëm (nga fshati në atë urban) dhe i jashtëm, si dhe ndryshimi i qëndrimit ndaj jetesës të ndarë nga prindërit, kanë luajtur rol shumë të rëndësishëm në formën dhe trendin e kërkesës për strehim.
Më konkretisht, emigracioni ka luajtur një rol të madh në kërkesën për banesa në zonat urbane, veçanërisht në Tiranë, si pasojë e përmirësimit të kushteve të jetesës dhe të ardhurave më të larta të disponueshme të emigrantëve shqiptarë dhe familjeve të tyre në shtëpi.
Studimi i INSTAT ka vërejtur se çështjet e rëndësishme që kërkojnë vëmendje të veçantë për tregun e banesave në Shqipëri përfshijnë problematikën për të drejtat e pronësisë, të cilat nuk janë të përcaktuara qartë midis pronarëve “të vjetër” të privuar nga regjimi komunist dhe atyre të rinj që aktualisht zënë prona.
Çështja e legalizimit të ndërtesave të ndërtuara pa lejen e autoriteteve lokale është një problematikë tjetër dhe gjithashtu regjistrimi i Hipotekës, kredidhënies hipoteore dhe procesi i ekzekutimit të hipotekave, të cilat janë veçanërisht të lidhura me praktikën bankare dhe kornizën ligjore në vend.