Gjatë muajit të kaluar, hyrjet nga Kosova drejt Shqipërisë rezultojnë se kanë shënuar një rënie të konsiderueshme, me minus 8,7 për qind. Në fakt, vetëm hyrjet nga Kosova rezultojnë me ecuri negative ndryshe nga sa ndodh me hyrjet nga vendet e tjera që kanë shënuar rritje që varion nga 11 deri në 36 % më shumë.
Në maj të këtij viti në Shqipëri kishte 96.501 hyrje të shtetasve nga Kosova, ndërsa në të njëjtin muaj të një viti më parë hyrjet ishin 105.645. Pra, janë 9.144 hyrje më pak vetëm në një muaj.
Në rang 5 mujori, janar-maj 2018 rezulton se në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë hyrjet nga Kosova në Shqipëri janë në rritje. Në janar-maj 2018 kishte 443.498 hyrje nga Kosova kundrejt 433.252 hyrjeve të së njëjtës periudhë të një viti më pare, pra një rritje me më shumë se 10 mijë hyrje.