Artistët janë mbledhur serish sot për të protestuar kundër prishjes së Teatrit Kombëtar. Sipas organizatorëve dita e sotme tregon që aktorët nuk janë të përçarë dhe nuk kanë shitur interesin e artit për interesa personale, siç Erjon Veliaj tentoi të përcillte në media takimin me tre artistë të teatrit.
Më herrët, Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Teatrit përmes një deklarate për mediat, sqaron se nuk ka asnjë kompromis dhe marrëveshje me asnjë përfaqësues qeveritar pa u tërhequr ligji nëpërmjet të cilit, sipas Aleancës, kërkohet të kryhet ndërtimi i godinës së re të Teatrit Kombëtar.
Aleanca thekson në qëndrimin e saj se kurrsesi dhe absolutisht nuk mund të ketë falje të truallit publik ku shtrihet Teatri Kombëtar dhe ai Eksperimental. Gjithashtu, Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Teatrit thotë se kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj aktualisht nuk ka asnjë status për kryerjen e negociatave apo dëgjesave publike, por mund të japë mendime personale, ashtu si gjithë qytetarët e tjerë.