Pak ditë pas grabitjes së zyrës postare në Durrës, janë zbuluar detaje të reja dhe të pa raportuara më parë në lidhje me dy grabitësit. Autorët, pasi kanë marrë tre kasaforta në postë janë larguar me një makinë të vjedhur në Lushnjë më 16 qershor dhe targa të vjedhura zonën e Laçit më 27 qershor, pra një ditë para grabitjes.
Në ndjekje të tyre është vënë një efektiv i policisë së Durrësit, i cili për pak sa nuk ka rrezikuar jetën. Burime policore për BË bëjnë me dije se motori me të cilin udhëtonte efektivi Julian Kastrati është përplasur nga makina e grabitësve dhe për pasojë ai është rrëzuar, duke u dëmtuar në këmbë. Por jo vetëm kaq, ata kanë qëlluar në drejtim të tij edhe me armë.
Pasi janë siguruar se e kanë shmangur policinë e kanë braktisur mjetin tek vaskat e peshkut dhe janë arratisur. Këto detaje hedhin poshtë versionin e policisë së Durrësit e cila ka deklaruar se i ka arrestuar grabitësit, edhe pse emrat e tyre nuk u bënë kurrë të ditur. Sipas të njëjtave burime, polici i plagosur në detyrë është transportuar në spitalin e Durrësit dhe po merr mjekimin e nevojshëm. Policia e Durrësit nuk e ka raportuar edhe këtë fakt.