Burimet thonë se pista e parë e hetimeve për zbardhjen e vdekjes së shoferit të ministrit të brendshëm, është ajo e vetëvrasjes, por po hetohet edhe në pista të tjera. Gjithçka do të zbardhet pas autopsisë.
Pas gjetjes së Shkëlzen Qordjas, shoferit të Fatmir Xhafaj, të vrarë në ambientet e Gardës, nga ana e grupit hetimor është bërë sekuestrimi i kamerave të sigurisë së këtij institucioni. Prokurori Albert Demirneli, ka urdhëruar sekuestrimin e serverit të kamerave të sigurisë së Gardës. Nga këqyrja e tyre do të verifikohet orari kur ka hyrë 31-vjeçari në ambientet e garazhit, dhe nëse ka qenë i vetëm, apo i shoqëruar.
Ndërkohë, një nga veprimet e tjera të hetuesve që po përpiqen të zbardhin ngjarjen e rëndë, ku shoferi 31-vjeçar i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, u gjet i pajetë brenda makinës në garazhin e Gardës së Republikës ka qenë pyetja e dëshmitarëve.